Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi pas përfundimit të takimit 12-orësh në Ohër, se Serbia dhe Kosova janë pajtuar për Aneksin e Zbatimit të amarrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kurti tha se Vuçiç dhe pala serbe ranë dakord për aneksin e zbatimit, por iu shmangën firmosjes së saj.
Sipas Kurtit arritja e një dakordësie të tillë në bisedime është një njohje de-facto e Kosovës.
“Kemi arritur pajtim publik për një ankes që do të sigurojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Kjo është njohje de-facto në mes Kosovës e Serbisë. Sot mund të themi që e kemi edhe aneksin e zbatimit përcjellës, por i ikën nënshkrimit të marrëveshjes bazë, e i ikën edhe nënshkrimit të aneksit. I takon BE-së të gjejë mekanizmin ta bëjë statusin e kësaj marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme”, deklaroi Kurti.
Kurti foli edhe çështjen e nenit 7, që sipas ndërmjetësit Josep Borrell do të nisë së implementuari menjëherë.
“Në këtë aspekt ekziston një paragraf që flet për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit joshumicë serb dhe natyrisht që do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta në mënyrë që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cenim, asnjë diskriminim, duke mos harruar që propozimi i Ahtisaarit u ka krijuar hapësirë e mundësi tejet të mëdha që t’i gëzojnë të drejtat e t’i plotësojnë nevojat e tyre”, u shpreh ai.
Kryeministri Albin Kurti është deklaruar pas takimit 12 orësh në Ohër.
“Ne erdhëm në Ohër për ta nënshkruar marrëveshjen. Kemi arritur pajtim publik i cili do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes”.
“Pala tjetër po i ik nënshkrimit të marrëveshjes, tash edhe me aneks”.
“E sa për Aneksin e Zbatimit ai do të publikohet në webfaqen e BE dhe aty do ta lexoni dhe do ta kuptoni çka ka edhe çka nuk ka”.