Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka thënë se pret rezultate nga bisedimet e sotme në takimin në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.
Ahmeti në një prononcim për medie, pas një takimi të shkurtër që pati me kryeministrin Kurti, tha se kjo që po bëhet sot është në të mirën e të dyja vendeve.
Sipas tij, nuk mund të ketë një Serbi brenda Evropës pa i stabilizuar marrëdhëniet në të gjitha fushat me Kosovën.
“Kjo që bëhet sot është në të mirë të dy vendeve dhe qytetarëve të Kosovë dhe Serbisë. Serbia duhet të reflektojë dhe të afroj drejt anëtarësimit në BE. Nuk mund të ketë një serbi brenda Evropës pa i stabilizuar marrëdhëniet në të gjitha fushat me Kosovën”, ka deklaruar Ahmeti.
Para takimit në Ohër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
“Qëndroj në mbështetje të fuqishme të Kosovës në momentet vendimtare në dialogun e saj me Serbinë dhe në të gjitha hapat e mëtejmë për rrumbullakësimin e plotë të shtetësisë së saj në të gjitha nivelet ndërkombëtare”, ka shkruar Ahmeti, në Facebook.
“Këtë ia shpreha sot Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti në takimin që e patëm bashkë në Ohër”.
“Kosova e pavarur është realitet dhe drejtësi e ardhur në vendin e vet e konfirmuar edhe nga Europa dhe SHBA-të që nuk mund të kontestohet në asnjë mënyrë”.
“Inkurajova Kryeministrin Kurti për epilog pozitiv të dialogut mbi parimet e proklamuara të njohjes së ndërsjelltë nga ndërmjetësuesit e BE-së që kanë qëllimin e sinqertë të ruajtjes së stabilitetit dhe ardhmërinë europiane të mbarë Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar lideri i BDI-së.