Ademi: Kam qenë i akuzuar padrejtësisht për më shumë se 10 vjet


Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Kryetari Ademi ka thënë se ka qenë i akuzuar padrejtësisht për më shumë se dhjetë vjet.

“Kam kënaqësinë të ndaj lajmin e mirë me ju që sot Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm mori aktgjykim lirues ndaj meje për akuzën që më rëndonte padrejtësisht. Gjykata Themelore në Prishtinë, me rastin e shpalljes së aktgjykimit lirues, ka theksuar faktin se me asnjë provë nuk është vërtetuar që unë kam kryer ndonjë vepër penale, për të cilën kam qenë i akuzuar padrejtësisht për më shumë se 10 vjet. Ju falënderoj të gjithë juve që keni besuar në punën time dhe në angazhimin tim, familjes për përkrahjen, e po ashtu falënderoj avokatët nga zyra e avokatëve ‘Hodaj & Partners’, që kontribuuan në zbardhjen e së vërtetës”, ka thënë kryetari Ademi në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka shtuar se ky aktgjykim do të jetë motiv shtesë për ta vazhduar angazhimin për futbollin e Kosovës, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës në futbollin kosovar.