Deputetja e Listës Guxo në fjalimin në takimin e Komitetit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, ka thënë se Kosova është e përkushtuar, konstruktive dhe kreative në dialogun Kosovë – Serbi.
Para eurodeputetëve, Statovci ka përmendur Fahrie Hotin, e cila ka humbur bashkëshortin në luftë. Ajo ka thënë se pas luftës, Fahria është bërë një sipërmarrëse e suksesshme, ku produktet e saja shiten në Evropë. Statovci ka thënë se Kosova është një nga vendet që ka vuajtur më së shumti nga regjimet dhe sistemet që kanë shkelur të drejtat dhe liritë themelore.
“Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe social i një vendi dhe forcimi i kohezionit social rreth vlerave që identifikojnë një shoqëri demokratike nuk mund të mendohet pa pjesëmarrjen dhe aktivizimin e plotë të potencialit të gruas në jetën sociale, politike dhe ekonomike. Kosova është një nga vendet që ka vuajtur më së shumti nga regjimet dhe sistemet që kanë shkelur të drejtat dhe liritë themelore, dhe nga ana tjetër, është një nga vendet që ka përfituar më shumë nga përhapja e demokracisë; një shembull i qartë se si demokracia dhe paqja mund të përmbysin paradigmat dhe stereotipet”, ka thënë ajo.
“Kosova, edhe pse një vend i vogël dhe i ri, ka një histori sa të dhimbshme aq edhe krenare, shpresëdhënëse dhe udhërrëfyese. Në këtë histori të re të shtetit të Kosovës, padyshim një rol të jashtëzakonshëm kanë pasur gratë dhe vajzat, të cilat sot janë shembull, që përveç sakrificave dhe vështirësive, suksesi i tyre ka prekur majat vendore dhe ndërkombëtare”, ka thënë tutje ajo, teksa ka përmendur historinë e Fahrie Hotit nga Krusha e Madhe.
“Me këtë rast dua të ndaj historinë e Fahrije Hotit, se lufta i kishte marrë gjithçka. Burri i saj është ende mes 1600 personave të zhdukur me forcë. Zonja Hoti, përkundër dhimbjeve të humbjeve në luftë, gjeti forcën për të ndërtuar një jetë të re, duke kapërcyer fillimisht paragjykimet dhe duke treguar guxim e vendosmëri. Ajo ka ndërtuar një biznes, ku ka punësuar rreth 100 gra të tjera nga fshati Krushë, vendi ku kanë ndodhur masakrat gjatë viteve 1998/1999. Sot produktet e saj eksportohen në më shumë se 80 vende të botës dhe aktiviteti i saj është vazhdimisht në rritje për sa i përket punësimit dhe prodhimit. Guximi i zonjës Hoti është dëshmi e grave të fuqishme që historikisht ka pasur dhe ka Kosova”, ka thënë tutje Statovci.
Statovci ka thënë se janë qindra raste të ngjashme ku gratë kanë treguar guxim dhe qëndrueshmëri për të kapërcyer çdo sfidë që, me ose pa vullnetin e tyre, jeta u ka shërbyer atyre.