Efektet e krizës në tregjet financiare ndërkombëtare, duket se i kanë prekur por jo në masë të madhe edhe mjetet e investuara jashtë të Trustit Pensional të Kosovës. Sipas të dhënave të Trustit vlera e mjeteve pensionale të investuara nga Trusti po shënon rënie, performanca aktuale e investimeve është minus 1.3 milionë euro.
Jeton Demi zëdhënësi i Trustrit Pensional të Kosovës për “IndeksOnline” ka thënë se prej muajit shkurt 2022, FKPK-ja i ka dy portofole investuese. 1) Portofolin Standard – për kontribuuesit e moshës deri 63 vjeç dhe 2) Portofolin Konservativ – për kontribuuesit e moshës 63 vjeç e më shumë. Arsyeja e kësaj ndarjeje është mbrojtja e kontribuuesve afër pensionimit nga luhatjet eventuale rënëse në tregjet financiare ndërkombëtare. Meqë dy portofolet kanë masë të ndryshme të riskut dhe kthimit potencial por edhe shpërndarjes së investimeve, kuptohet se ndryshojnë edhe në rezultat.
Sipas tij për periudhën nga 1 janar 2023 e deri më 10 mars 2023 data e fundit që e kanë në dispozicion të dhënat për të dyja portofolet janë sikur në vijim:
Mjetet nën menaxhim:
1) Portofoli Standard: 2,326,299,164 euro
2) Portofoli Konservativ: 118,390,617 euro
Performanca e investimeve
1) Portofoli Standard: Ndryshimi i çmimit të njësisë -0.06% (ose kthimi bruto -1.3 milionë euro).
2) Portofoli Konservativ: Ndryshimi i çmimit të njësisë +0.64% (ose kthimi bruto +758 mijë euro).
Marrë në përgjithësi aktualisht FKPK-ja i ka rreth 73% të investimeve në tregjet financiare ndërkombëtare dhe rreth 27% në Kosovë (kryesisht në letra me vlerë të Qeverisë së Kosovës dhe më pak në banka) me shumë nominale rreth 650 milionë euro.
Ndërsa bazuar në të dhënat e FKPK-së, ky institucion i ka të shpërndara investimet në një gamë shumë të gjerë të instrumenteve (në më shumë se dy mijë entitete, si psh: Thesari i Kosovës, Thesari i SHBA-ve, Thesari i Gjermanisë, Thesari i Mbretërisë së Bashkuar, Thesari i Australisë, Thesari i Italisë e kompani si: Barclays Plc, Banque Fed. Credit Mutuel, Alphabet Corp, Societe Generale SA, Microsoft, Coca-Cola, Nordea Bank Abp, Cisco Systems Inc, Volksëagen AG, BNP Paribas SA, Nike Inc, Johnson&Johsnon, PepsiCo e shumë të tjera). Investimet kanë shpërndarje të gjerë nëpër sektorë (farmaceutikë, IT, ushqim, kujdesin për shëndet, energji, financa, shërbime konsumatore, teknologji e me radhë). Kemi shpërndarje të gjerë të investimeve në më shumë se 50 shtete të ndryshme në gjithë globin (por me dominim në Kosovë, Evropë, SHBA dhe shtetet anëtare të OECD). Investimet e FKPK kanë shpërndarje e mbrojtje sipas valutave (euro, dollarin amerikan, sterlinën britanike, krunën daneze, jenin japonez e më pak në të tjera). Krejt këto masa mbrojtëse e bëjnë institucionin të ketë rejting të përgjithshëm me nivel mjaft të ulët të riskut.