Gjimnazi i parë i Ferizajt, i njohur si “Gjimnazi i Vjetër” është djegur në mëngjesin e së martës. Ky objekt është në mbrojtje të shtetit si trashëgimi kulturore, kanë bërë të ditur nga Komuna.
Zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci, ka thënë për KOHËN se objekti ka nisur të restaurohej të hënën.
“Objekti është gjimnazi i parë i qytetit të Ferizajt. Qeveria e ka futur në projektbuxhet dhe është thënë se do të restaurohej. Restaurimi ka nisur të hënën, por më pas është djegur”, ka deklaruar ai.
Nga Policia e Kosovës i thanë KOHËS se zjarri i shkaktuar në rrugën “Ramadan Rexhepi”, është lokalizuar dhe pos dëmeve materiale nuk ka persona të lënduar.
“Rreth orës 04:25 kemi pranuar një informatë se në një objekt shkolle të vjetër, jofunksionale në rrugën ‘Ramadan Rexhepi’ është një incident zjarri. Ekipe të Policisë , zjarrfikësve kanë dal menjëherë në vendin e ngjarjes. Zjarri është lokalizuar, veç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në njoftimin policor.