Neymari synon të pensionohet te PSG-ja

Sulmuesi Neymar nuk e ka ndërmend të largohet nga Paris Saint-Germaini, përkundër raportimeve se klubi francez po kërkon blerës për brazilianin. “L’Equipe” ka shkruar të hënën se Neymar tashmë ka njoftuar klubin për vendimin e tij.

Madje, ai dëshiron ta respektojë deri në fund kontratën me Parisin, klub me fanellën e të cilit synon të pensionohet nga futbolli aktiv. Neymar ka kontratë me Parisin deri në vitin 2027, ndërsa është pjesë e ekipit prej vitit 2017 kur iu bashkua nga Barcelona.

31-vjeçari tashmë e ka përfunduar para kohe sezonin aktual për shkak të operimit të nyjës së këmbës dhe është i detyruar të pauzojë të paktën për katër muaj. Megjithatë, në 29 ndeshje të luajtura, ai ka shënuar 18 gola dhe ka asistuar 17 herë.