Ministria e Donika Gërvallës ka shkarkuar Petrit Hajdarin nga pozita e Zyrtarit të Lartë për Marrëdhënie Shumëpalëshe.
Hajdari ka thënë se rastin do ta çojë në gjykatë, teksa vendimin e ka parë si politik, duke e implikuar Gërvallën dhe Kurtin.
Njoftimin për shkarkim e ka bërë vetë ish-konsulli i Kosovës në Slloveni, teksa kujtoi edhe kohën kur Gërvalla synonte shkarkimin e tij.
“Duke qenë diplomat i karrierës dhe jo i emëruar politikisht, kjo është një goditje befasuese. Ose, më saktësisht, do të ishte befasuese kudo tjetër përpos në Qeverinë e Donika Gërvallës Schwarz e Albin Kurtit. Këto shkarkime, të paraprira nga fushata të egra njollosjeje, janë metoda të përdorura nga një pushtet, fatkeqësisht mjaft i freskët në mendjen e shqiptarëve: ai i represionit të viteve 90”, deklaroi ai.
“Dje kam marrë vendimin e shkarkimit nga puna si Zyrtar i Lartë për Marrëdhënie Shumëpalëshe në Departamentin për Evropë, BE dhe Rajon të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Megjithatë, fati im nuk është më i rëndësishëm sesa fati i vendit. Po të besoja që kjo ishte në të mirë të vendit, unë s’do ta prisja shkarkimin fare sepse do të tërhiqesha, por bash secili detaj në karrierën time prej zyrtari e diplomati të karrierës, e tregon saktësisht të kundërtën”, vijon Hajdari.
Njoftimi i plotë:
REAGIM
Kapja në konkretizim e sipër
Kemi qenë vazhdimisht kritikë, ndonjëherë më ashpër se që do të donte opinioni publik, lidhur me tendencat autoritare e kapëse të Qeverisë. Megjithatë, ai vizion i kapjes e stagnimit, po merr jetë dalëngadalë, edhe atë me bekim nga lart.
Dje kam marrë vendimin e shkarkimit nga puna si Zyrtar i Lartë për Marrëdhënie Shumëpalëshe në Departamentn për Evropë, BE dhe Rajon të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Megjithatë, fati im nuk është më i rëndësishëm sesa fati i vendit. Po të besoja që kjo ishte në të mirë të vendit, unë s’do ta prisja shkarkimin fare sepse do të tërhiqesha, por bash secili detaj në karrierën time prej zyrtari e diplomati të karrierës, e tregon saktësisht të kundërtën.
Karriera ime 15 vjeçare nuk është aty për t’u përbuzur, por për të shërbyer. Kam pasur nderin e jetës që të shërbej si diplomat me gradën konsull në mandatin themelues të misionit konsullor të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Lubjanë të Sllovenisë. Me nota të shkëlqyeshme të performancës, me punë e kontribut të palodhshëm, jam përpjekur t’i shërbej komunitetit dhe vendit e ta bëj punën time ashtuqë të isha aset e jo barrë për vendin tim.
Dhe kjo, përgjatë këtyre 15 vjetëve, ka qenë krejtësisht e vërtetë në sytë e të gjithë atyre që u kam shërbyer. Megjithatë, dje u godita. E hidhur, sepse edhe unë, edhe ata, e dijmë mirë që kjo është goditje politike.
Filloi në Mars të vitit të kaluar, kur emri im qarkulloi në media si “në listë për shkarkim”. Kësisoji, ata donin të më mbanin nën kontroll përmes shantazhit, frikës e kërcënimit për shkarkim. Kur kjo nuk funksionoi, ngaqë unë e vazhdova detyrën time duke qenë i përpiktë secilën ditë të punës, nxori kokën demoni pushtet dhe më shkarkoi.
Duke qenë diplomat i karrierës dhe jo i emëruar politikisht, kjo është një goditje befasuese. Ose, më saktësisht, do të ishte befasuese kudo tjetër përpos në Qeverinë e Donika Gërvallës Schwarz e Albin Kurtit. Këto shkarkime, të paraprira nga fushata të egra njollosjeje, janë metoda të përdorura nga një pushtet, fatkeqësisht mjaft i freskët në mendjen e shqiptarëve: ai i represionit të viteve 90.
Duke u bartur nga ZKM në MPJD, unë kam qenë në shërbim të vendit, i punësuar në mënyrë krejtësisht të rregullt prandaj shkarkimi im është shkelje flagrante e ligjit.
Këtë do ta vërtetoj, edhe nëse është gjëja e fundit që e bëj, duke ndjekur deri në fund rrugët ligjore. Padrejtësia do të zhbëhet patjetër, por fakti që kemi një pushtet të gatshëm të provojë të bëjë padrejtësi të tilla, është tregues mjaftueshëm shqetësues.
Ne do të takohemi përsëri kur ligji ta thotë fjalën e vet, ndërkaq ju do të takoheni prapë me qytetarin të cilit ia keni grabitur besimin me premtime të rreme për shtetin e së drejtës.
Forca qoftë me vendin tonë, Kosovën! Forca qoftë në anën e drejtësisë!