Shkruan: Safet Gërxhaliu
Në kohë kur kriza ekonomike është duke i kapluar shumë vende evropiane dhe më gjerë, një krizë e tillë nuk po e kursen edhe Kosovën.
Sot Trusti pensional i Kosovës si një ndër institucionet me kredibile dhe të pakontestuara në Kosovë është pa bord të kompletuar. Mos kompletimi i bordit me anëtarë të rinj apo të zgjedhur në këtë institucion është një shqetësim sepse paratë apo mjetet e fondit pensional nuk mund të investohen nëpër institucione të ndryshme investive, nuk mund të tërhiqen ato që janë të investuara dhe ky është një problem i madh. Është një paralizim total i Trustit i cili mund të ketë pasoja të rënda për mjetet e qytetarëve të Kosovës, por edhe imazhin e Kosovës për mosfunksionim të institucioneve relevante. Duhet të thuhet e vërteta se si erdhi në këtë gjendje Trusti pensional. Këtë e ka paralajmëruar edhe Guvernatori i Bankës Qëndrore të Republikës së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, i cili që nga fillimi i vitit 2022, i është drejtuar me kërkesë Ministrit të Financave dhe institucioneve të tjera të Kosovës, që të përshpejtohet emërimi i anëtarëve të rinj të bordit, por për fat të keq kërkesa e tij për emërimin e bordit ka hasur në vesh të shurdhër nga akterë vendimmarrës institucional. Sot jemi në një situatë të rëndë dhe të palakmueshme, ku në vend të hulumtohen mundësitë për investime, aty ku ka mundësi dhe për rritje të investimeve, sot duhet të pritet kompletimi i bordit me anëtarë të rinj të Trustit Pensional.
E tëra kjo ka të bëj me faktin se edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është në proces të zgjedhjeve për guvernator, proces i cili është duke kaluar nëpër sfida të ndryshme dhe të cilat janë mjaft shqetësuese.
Sot mund të thuhet lirisht se Trusti pensional është i paralizuar. Nuk duhet të fajësohet menaxhmenti i cili me kohë i ka paralajmëruar me shkresa institucionet , nuk duhet të fajësohet askush tjetër, përveç neglizhencës dhe injorancës së institucioneve qendrore të vendit, që si duket kërkojnë persona të volitshëm politik, por që po shkatërrojnë institucionet e Kosovës.
Kjo nuk po ndodh vetëm në TRUST-in pensional, por pothuajse në të gjitha ndërmarrjet publike dhe vendosja e tyre në këto pozita në ndërmarrjet publike, shumë më tepër po e dëmton Kosovën sesa po e ndihmon, sepse vërtet u mungon dijenia, përvoja, përkushtimi. Ata duan që të ata njerëz të përmbushin me militantë partiak e që si shoqëri dhe shtet do të bartim pasoja afatgjate.
Kosova meriton më shumë, më shumë zhvillim ekonomik, ku sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jetë një bazament për të ndërtuar një shoqëri prosperuese për të gjithë qytetarët e vendit. Nuk duhet të kemi qasje vetëm për të përmbushur epshet e militantëve politik.