25 vjet nga rënia heroike e Familjes Jashari

Sot bëhen 25 vite që nga rrethimi i familjes së Jasharëve, në Prekaz të Drenicës.

Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kishte koncentruar në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së, duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

Ajo që kishte ndodhur në fillimet e marsit të vitit 1998 ka qenë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje aq e drejtpërdrejtë dhe aq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit, ka ngritur çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi ishte rrethuar nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo kishte lënë të kuptohej se atje do të kishte rrethim të hekurt.

Pikërisht, më 5 mars bëhen 25 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë.

Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova kishte mundur frikën me çka i kishte hapur shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve ishte ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi, që shekuj e vite i kishte dhënë shumë Kosovës.