Lideri kosovar i derivateve, restoraneve dhe marketeve, korporata HIB sot ka njoftuar se do ta rrisë prezencën e saj në treg edhe me 5 pika të reja moderne të HIB Petrol, duke bërë gjithsejt 26 pika të mëdha në rrjetin e bizneseve të saj në Kosovë.
“HIB Petrol po rritet dhe zgjerohet, për të qenë sa më afër klientëve të saj, kudo nëpër Kosovë. Së shpejti do të vijmë edhe me 5 pika të reja, në lokacione të reja ku më parë nuk kemi qenë prezent me pika fizike të shitjes. Së shpejti do të zbulojmë më shumë detaje për planin tonë të rëndësishëm investiv, i cili nënkupton investime të reja kapitale të korporatës HIB, ofrim të përvojës së shkëlqyeshme të produkteve dhe shërbimeve të HIB, si dhe krijim të vendeve të reja të punës në qytete të reja në Kosovë” thuhet në njoftimin e korporatës HIB Petrol.
HIB Petrol është zgjedhur si rrjeti më i mirë i derivateve në Kosovë për raportin e cilësisë ndaj çmimit. Korporata HIB është vlerësuar me medaljen ‘Best Buy Award’ nga kompania zvicerane ICERTIAS – International Certification Association GmbH me bazë në Cyrih të Zvicrës.
Së fundmi, HIB Petrol është zgjeruar edhe përtej tregut kosovar, duke hapur pikën e re në Shkup e cila e shndërron kompaninë në lider rajonal të derivateve edhe në tregje të reja jashtë Kosovës.
HIB është njëra ndër korporatat më të mëdha në Kosovë, e cila ka mbi 1200 të punësuar në gjitha njësitë e biznesit të saj, dhe për shumë vite me radhë është zgjedhur si tatimpaguesi më i madh në ekonominë e vendit tonë.