Një shofer autobusi me shtetësi shqiptare ka vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur gjatë mbrëmjes të së shtunës në autostradën A1 ndërmjet Brinnjes dhe kryqëzimit Ogulin në drejtim të Zagrebit në Kroaci.
58-vjeçari në momentin e aksidentimit ishte duke vozitur autobusin me targa shqiptare, nga ku mbetën të lënduar edhe shtatë pasagjerë, raportoi të dielën mediumi kroat “Index.hr”.
Sipas raportimit, arsyet e aksidentimit ku mbeti i vdekur shoferi i autobusit, mbeten ende të panjohura.
Të lënduarit janë duke u trajtuar në spitalet e përgjithshme në Karlovac dhe Ogulin, ndërsa hetimet e policisë janë duke vazhduar.
Autostrada fillimisht ishte mbyllur në të dyja drejtimet, ndërsa mëngjesin e së dielës është hapur për qarkullim njëra korsi e autostradës në drejtim të Zagrebit.