Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar sot në Gjilan ku ka takuar
familjet Arifi, Ramadani dhe Sinani, fëmijët e të cilëve kanë emigruar në shtetet e Evropës në kërkim të një të ardhmeje më të mirë jashtë vendit.
Krasniqi, në një postim në Facebook, ka thënë se këta të rinj po largohen për shkak tëmungesës së perspektivës dhe zhgënjimit me qeverisjen aktuale në vend.
“Gjatë këtyre dy viteve, dy djemtë e Ramadan Arifit kanë emigruar në Slloveni, ndërsa i treti sot kishte marrë përgjigjen pozitive nga Ambasada e këtij shteti për vizë pune. Njëri djalë i Sadik Ramadanit, që është edhe prind dëshmori, ka emigruar në Itali, ndërsa i vetmi djalë i Arif Sinanit në Gjermani, për shkak të pasigurisë në punësim, mungesës së perspektivës dhe zhgënjimit me qeverisjen pa vizon e pa drejtësi. Është shqetësuese si çdo ditë të rinj të talentuar e me potencial, si dhe profesionistë të shumtë, po e braktisin vendin në mungesë të sigurisë dhe garancës për një të ardhme prosperuese”, shkruan kreu i PDK-së.
Krasniqi është shprehur se misioni i PDK-së është zhvillimi i vendit, ku të rinjtë do të kenë të gjitha mundësitë për të ndërtuar të ardhmen në Kosovë.
“Andaj, misioni ynë është të zhvillojmë shtetin tonë, ku të rinjtë të kenë të gjitha mundësitë për të ndërtuar të ardhmen këtu, të ngrisim nivelin e zhvillimit ekonomik duke krijuar vende të reja pune e me paga dinjitoze, si dhe të investojmë për arsim dhe shëndetësi të qëndrueshme. Kjo është beteja që duhet ta bëjmë 15 vjet pas pavarësisë, që Kosova të mos zbrazet. Partia Demokratike e Kosovës është e përkushtuar të angazhohet për të arritur këtë synim. Bashkë, do ta kthejmë shpresën dhe besimin në Kosovë!”, shkruan ai.