Çfarë dëshmoi Haki Abazi në Prokurori

Asnjë provë nuk i ka ofruar Haki Abazi, Prokurorisë rreth skandalit të zhdukjes së mostrave të gjakut të Astrit Deharit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje i cili është marrë në pyetje të martën në cilësi të dëshmiarit, nuk ka dorëzuar prova, incizime, apo dëshmi rreth këtij rasti. Ka bërë vetëm akuza politike, ka zbuluar Paparaci.

“Ne kemi kërkuar prova, dëshmi, por nuk ka ofruar asgjë. Ka folur për rastin në kontekst politik. Ne kemi kërkuar prova, por nuk ka pasur”, ka thënë një burim në prokurori për Paparacin.

Kësisoj, dëshmia e Abazit nuk dallon nga ato që ka thënë në publik.

Madje, në Prokurori sipas burimeve, ka qenë shumë më i kufizuar për shkak të rrezikut për ndjekje penale nëse jep dëshmi të rrejshme.

Në dhjetor të vitit të kaluar në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë zhdukur mostrat e rastit të Astrit Deharit. Këtë e kishte bërë të ditur vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Të enjten në një konferencë për medie, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka deklaruar se duhet të kërkohen video-incizimet për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari.

Sipas tij, Prokuroria duhet të intervistojë kryeministrin, Albin Kurti, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun dhe disa persona të tjerë të lidhur me këtë ngjarje.

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, nuk është lejuar të marrë pjesë në intervistimin e deputetit Abazi.

Gashi ka thënë se kjo është në diskrecion të prokurorit të rastit Afrim Shefkiu. Ai ka thënë se e ka deponuar një kërkesë për ta marrë arsyetimin për moslejimin e tij gjatë intervistimit.