Koordinatori i Departamentit për Drejtësi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se Prokuroria e Shtetit duhet të intervistojë kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për rastin e zhdukjes së mostrave të ish-aktivistit Astrit Dehari, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Gruda tha të hënën para mediave se rasti “Dehari” është tragjik, me të cilin s’mund të vazhdohet të bëhet politikë.
“Rasti ‘Dehari’, është një rast tragjik, më të cilin nuk mund të vazhdohet të bëhet politikë, prandaj kërkojmë nga prokuroria e shtetit që të intervistoj Kryeministrin Kurti dhe Ministren Haxhiu për të zbardhur përfundimisht se kush dhe si i zhduku mostrat e rastit ‘Dehari’, në mënyrë që të zbardhet e vërteta e plotë e këtij rasti tragjik. Prandaj, kërkojmë drejtësi për Rastin Dehari”, tha ai.
Sipas Grudës, Kurti e Haxhiu duhet të sqarojnë publikun pse po heshtin ndaj akuzave “që i përfshijnë ata direkt në krimin e zhdukjes së mostrave”.
“Ditëve të fundit, opinioni publik është njoftuar më fakte të reja në lidhje me zhdukjen e mostrave të rastit ‘Dehari’ në Institutin e Mjekësisë Ligjore pranë Ministrisë e Drejtësisë. Pretendimet e ngritura, që përfshin në këtë rast kryeministrin Kurti dhe ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, si pjesëmarrës në zhdukjen e këtyre mostrave në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Kryeministri Kurti dhe Ministrja Haxhiu duhet të sqarojnë opinionin publik se çfarë dinë ata në lidhje më zhdukjen e mostrave të rastit ‘Dehari’, cilat veprime janë ndërmarrë deri tani për të zbardhur të vërtetën e plotë rrethanat e zhdukjes së këtyre provave? Pse po heshtin karshi akuzave që i përfshijnë ata në mënyrë direkte në krimin e zhdukjes së mostrave të rastit ‘Dehari’?”, shtoi ai.
Sipas zyrtarit të partisë opozitare, shqetësuese janë edhe sulmet e ministres Haxhiu ndaj organeve të sistemit të drejtësisë.
“Në seancën gjyqësore ku ishte e akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës, ajo i bëri presion publik prokurorit të çështjes duke i kërkuar që të tërhiqet nga aktakuza kundër saj. ‘Dorëzohu, s’është vonë’, i tha ajo prokurorit. Kur është vonë që prokurori të tërhiqet? Kur të dënohet Ministrja Haxhiu?”, tha ai.