Kosova rrumbullakoi 15 vjet shtet. Përballjet me Serbinë dhe ngjarjet që synonin shtrirjen e sovranitetit brenda dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, patën peshën më të madhe në këtë dekadë e gjysmë. U përjetuan momente krenarie kur u shënuan arritje. Por, nuk munguan as momentet e zhgënjimit nga dështimet jo të pakta. Politikanët ishin ata që u përkujdesën për dramat, e sportistët dhe artistët dhanë emocionet më të mira. Janë 100 ngjarje kryesore që KOHA ua sjell në kujtesë, në këtë 15-vjetor të Pavarësisë
17 shkurt 2008 – Kosova shpallet shtet i pavarur dhe sovran, nëpërmjet një Deklarate të miratuar në Kuvend nga udhëheqësit e popullit: Presidenti, anëtarët e Kuvendit dhe anëtarët e Qeverisë. Vendimi u mor diku një vit pasi Martti Ahtisaari, i dërguar i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës, finalizoi Propozimin Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin, i cili parashihte pavarësi përkohësisht të mbikëqyrur.
17 shkurt 2008 – Kuvendi miratoi flamurin e shtetit, pak minuta pas vendimit për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Në konkurrencë ishin 993 versione. U përzgjodh dizajni i autorit Muhamer Ibrahimi: Në qendrën e sfondit blu ndodhet harta e Kosovës ngjyrë ari e sipër saj gjashtë yje të bardha që qëndrojnë në renditje harkore.
17 shkurt 2008 – Republika e Kostarikës bëhet shteti i parë që deklaron njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Në 24-orëshin e parë të shtetësisë, vendimin për njohje e publikuan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Shqipëria, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Afganistani. Brenda një viti Kosova njihet nga 54 shtete, numër ky që është dyfishuar ndërkohë.
28 shkurt 2008 – Inaugurohet Grupi Drejtues Ndërkombëtar për ta mbikëqyrur Pavarësinë e shpallur nga Kosova 11 ditë më përpara. Ai u krijua për të konstatuar nëse Kosova po përmbushte Pakon Ahtisaari, mbi bazën e të cilit ishte shpallur Pavarësia. Përfaqësimi Civil Ndërkombëtar, i caktuar nga ky grup, kishte autoritet suprem në Kosovë. Kjo ia zbehu rolin e këtillë që deri atëherë e kishte shefi i misionit të OKB-së.
9 prill 2008 – Kosova u bë me Kushtetutë. Në hartimin e aktit më të lartë juridik të shtetit morën pjesë ekspertë vendës e ndërkombëtarë. Dokumenti që u miratua nga legjislativi, hyri në fuqi pas dy muajsh. Kushtetuta përbëhet prej 40 kapitujve dhe 160 neneve dhe si e tillë e përcakton Kosovën si republikë parlamentare. Ndërkohë, Kuvendi ka miratuar disa amendamente kushtetuese.
25 maj 2008 – Aktorët Arta Dobroshi dhe Alban Ukaj marrin pjesë në Festivalin e Cannes me filmin “Heshtja e Lornës”. Në festivalin e festivaleve nuk kishte marrë pjesë ndonjë aktor shqiptar prej vitit 1967 kur atje parakaloi Bekim Fehmiu me ekipin e “Mbledhësit të puplave”. E “Heshtja e Lornës” fitoi çmimin për skenarin më të mirë.
11 qershor 2008 – Kosova bëhet me himn. Këtë ditë, me 72 vota për, 15 kundër dhe 5 abstenime, Kuvendi përzgjodhi versionin pa tekst, të kompozuar nga Mendi Mengjiqi, me titull “Evropa”. E, nga shpallja e Pavarësisë deri në këtë ditë si himn Kosova përdori atë të Bashkimit Evropian – “Ode Gëzimit”.
11 korrik 2008 – Mbahet Konferenca e Donatorëve për Kosovën. Ngjarja u zhvillua në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania janë tre donatorët më të mëdhenj. Bashkërisht, të gjithë donatorët premtuan 1.2 miliardë euro mbështetje.
4 nëntor 2008 – Policia e Kosovës zbuloi rrjetin e trafikut të organeve, kur një 23-vjeçar turk u kap në Aeroportin e Prishtinës derisa po priste fluturimin për në shtëpi, pasi e kishte dhënë veshkën për një pacient izraelit. Sipas dëshmisë së tij, ai ishte hospitalizuar përkrah një 74-vjeçar, i cili kishte paguar 100.000 dollarë për veshkë, në tregun e zi. Operacioni ishte kryer ne klinikën private “Medicus” në Prishtinë, pronarë dhe mjekë të së cilës ishin dënuar më pas në shkallë të parë, por ende nuk ka vendim përfundimtar.
1 janar 2009 – Themelohet Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK). Në këtë datë, u shpërbë paraardhësja e saj – Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK). FSK-ja ishte propozuar me Planin Ahtisaari, por pa mandat ushtrie. Vetëm 1,400 prej 3,000 pjesëtarëve aktivë sa kishte TMK-ja, arritën të kalonin suksesshëm testet e përpiluara nga NATO-ja për të vazhduar rrugëtimin në FSK.
24 prill 2009 – Në Dhomën e dëshmive në komandën qendrore të Policisë së Kosovës vidhen drogë e armë që ruheshin pasi ishin konfiskuar, e po kështu edhe dëshmi e gjëra të tjera me vlerë. Rasti asnjëherë nuk është ndriçuar dhe, sipas Prokurorisë, vazhdon të jetë i hapur.
26 qershor 2009 – Jep betimin përbërja e parë e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, institucion i themeluar në fillim të këtij viti. Gjykata do të merrte ndër vite një numër vendimesh, nëpërmjet të cilave u rrëzuan edhe presidentë e qeveri.
29 qershor 2009 – Kosova bëhet anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Që nga viti 1999, Banka Botërore ka siguruar dhe menaxhuar 500 milionë dollarë amerikanë për Kosovën, përmes më shumë se 40 projekteve. Ndërkaq, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka mbështetur Kosovën edhe me asistencë teknike.
29 nëntor 2009 – Nazim Bllaca, pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), në një konferencë për shtyp në qendër të Prishtinës thotë se kishte kryer vrasje në emër të organizatës që i përkiste. Kjo dëshmi hapi një kapitull të hetimeve nga misioni EULEX, pas të cilave u dënuan disa ish-anëtarë të SHIK-ut. Edhe vetë Bllaca ishte në mesin e atyre që u shpallën fajtorë dhe pas vuajtjes së dënimit u largu nga Kosova, në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur.
22 shkurt 2010 – Gjashtë persona nga Kosova vdiqën kur një autobus që udhëtonte nga Prishtina u aksidentua afër Vjenës, derisa po udhëtonte për në Gjermani. Aksidenti ndodhi kur autobusi u përplas me dy kamionë në një autostradë në afërsi të kryeqytetit të Austrisë. Në aksident u lënduan më shumë se 30 persona, disa prej të cilëve rëndë.
25 prill 2010 – Fillon ndërtimi i autostradës së parë në Kosovë, asaj Morinë-Prishtinë-Merdar, që mban emrin “Ibrahim Rugova”. Punimet u kryen nga Morina deri në Orllat të Drenasit, për një kosto që u ngrit nga 400 milionë euro për 102 kilometra në 838 milionë për 77 kilometra. Autostrada u ndërtua nga konsorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka”, i cili paraprakisht e ka ndërtuar edhe autostradën në pjesën e Shqipërisë. Autostrada që synon t’i lidhë dy kryeqendrat njihet si “Rruga e Kombit”.
22 korrik 2010 – Pas kërkesës së Serbisë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) jep opinionin lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Me 10 vota pro dhe 4 kundër, gjykata dha mendimin se Deklarata e Pavarësisë nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Sipas saj, nga të gjitha të dhënat del se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e as Kornizën Kushtetuese të UNMIK-ut.
12 gusht 2010 – Jepet me koncesion Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, që tani mbanë emrin “Adem Jashari”. Fitues u shpall konsorciumi francezo-turk “Limak Aeroport de Lion”. Kompania fituese për 20 vjet kishte për obligim t’i ofronte Qeverisë një mesatare prej 39.42 për qind të të ardhurave bruto në këmbim të së drejtës për koncesion.
9 shtator 2010 – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian dhe nga Serbia, e cila bëri thirrje për nisjen e një faze dialogu të lehtësuar nga BE-ja, për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Rezoluta u miratua pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha mendimin këshillëdhënës rreth aktit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
27 shtator 2010 – Presidenti Fatmir Sejdiu jep dorëheqjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konstatohet se ai po bënte shkelje të vazhdueshme të aktit më të lartë juridik të shtetit, duke e mbajtur njëkohshëm edhe postin e presidentit e edhe atë të kryetarit të LDK-së. Sejdiu theksoi se e respektonte vendimin e Gjykatës, ani se vlerësoi që nuk e ushtroi postin partiak, meqë këtë funksion e kishte ngrirë.
2 nëntor 2010 – Bie Qeveria e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, pas një mocioni të votuar edhe nga PDK-ja që ai e drejtonte. Dorëheqja e presidentit Fatmir Sejdiu që e udhëhiqte LDK-në solli ndryshime të sjelljes së partisë së Sejdiut brenda koalicionit. LDK-ja ndërpreu mbështetjen për shumë procese përfshirë privatizimin e PTK-së që ndodhej në agjendën e Qeverisë. Meqë PDK-ja s’u tërhoq nga ky përcaktim, LDK-ja doli nga koalicioni.
18 nëntor 2010 – Mbahen zgjedhjet e parakohshme nacionale, të cilat i fiton PDK-ja që udhëhoqi Qeverinë edhe në mandatin paraprak. Kryetari saj, Hashim Thaçi, merr mandatin e dytë si kryeministër dhe e drejton ekzekutivin në koalicion me disa parti, duke e lënë në opozitë LDK-në për herë të parë.
12 dhjetor 2010 – Dick Marty, anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe raportues për Komisionin për Punë Ligjore dhe të Drejta të Njeriut, publikoi raportin me titull “Trajtimi çnjerëzor dhe trafikimi i paligjshëm i organeve të njeriut në Kosovë”. Në raport akuzohen ish-pjesëtarë të UÇK-së se gjatë dhe menjëherë pas luftës kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Akuza më e rëndë është trafikim i organeve që pretendohet t’u jenë marrë pengjeve serbe. Këshilli i Evropës e miratoi më pas raportin, që në Kosovë u kualifikua shpifës.
22 shkurt 2011 – Në një proces të parregullt votimi, Behgjet Pacolli zgjidhet president. Pesë javë më vonë, Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetues vendimin e Kuvendit për ta zgjedhur Pacollin, pasi konsideroi se ishin zhvilluar dy raundet e para të votimit pa u përmbushur kërkesa për kuorum prej 80 deputetësh.
9 mars 2011 – U mbajt takimi i parë në kuadër të dialogut teknik Kosovë-Serbi, konform rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kosova u përfaqësua nga Edita Tahiri, atëkohë zëvendëskryeministre, ndërsa delegacioni i Serbisë është prirë nga Borko Stefanoviq, i emëruar special për dialogun nga qeveria e këtij shteti. Gjatë fazës së parë të dialogut e cila zgjati deri në fund të vitit 2012, u arritën 7 marrëveshje.
7 prill 2011 – Atifete Jahjaga zgjidhet presidente e shtetit, duke e bërë Kosovën shtetin e parë në rajon që udhëhiqet nga një grua. Ajo ishte zëvendësdrejtore e përgjithshme e Policisë dhe siguroi postin e presidentes pas një marrëveshjeje për reformë zgjedhore mes PDK-së në pushtet e LDK-së në opozitë. Ndonëse marrëveshja parashihte mandat njëvjeçar për Jahjagën, Kushtetuesja theksoi se asaj nuk mund t’i ndërpritej mandati në gjysmë, prandaj qëndroi në detyrë për 5 vjet.
25 korrik 2011 – Njësia speciale ROSU niset drejt pikave kufitare me Serbinë në veri të Kosovës, me synimin për të vendosur ligjshmërinë edhe në to. Aksioni dekonspirohet dhe gjatë rrugës në veriun e banuar kryesisht me serbë, efektivët e policisë përballen me barrikada të vendosura. Ata sulmohen edhe me armë, nga të cilat qëllohet për vdekje polici Enver Zymberit. Ndonëse pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak janë marrë nën kontroll, ende nuk ka të dënuar për vrasjen e Zymberit.
29 janar 2012 – Filmi “Kthimi” me regji të Blerta Zeqiri dhe skenar të Shefqet Gjocajt triumfoi në “Sundance Film Festival”, duke marrë Çmimin e madh të jurisë. Ky ishte filmi i parë nga Kosova që mori çmim në këtë festival prestigjioz.
24 shkurt 2012 – Kosova heq dorë nga denominimi kushtetues “Republika e Kosovës”. Në proces të dialogut me Serbinë, ajo pranon që në nismat rajonale të përfaqësohet me fusnotë. Kësisoj, në këto nisma, për emërtimin “Kosovo*”, jepet shpjegimi me këtë përmbajtje teksti: “Ky shënim është pa paragjykim të pozicioneve për status dhe është në linjë me RKSKB 1244 dhe Opinionin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.
2 prill 2012 – Ish-shefi i Task-Forcës Kundër Korrupsionit, Nazmi Mustafi, arrestohet nga Policia e EULEX-it nën dyshimin se në cilësinë e prokurorit dhe me qëllim të përfitimit personal kishte angazhuar “sekserë” për të komunikuar me personat që po i hetonte, duke kërkuar para në këmbim të lirimit të tyre. Ai u dënua me 5 vjet burg.
12 prill 2012 – “Koha Ditore” raporton se janë vjedhur 25 kilogramë ari dhe argjend që ndodheshin në Dhomën e Dëshmive në Stacionin e Policisë në Pejë. Pas kësaj, autoritetet konstatuan vjedhjen dhe arrestuan drejtorin e stacionit dhe disa zyrtarë përgjegjës. Të gjithë u liruan më vonë, ndërsa rasti nuk është zbardhur ende.
14 qershor 2012 – Vdes kryeshefi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, pak kohë pasi gjetet i plagosur në shtëpinë e tij në Fshatin Ndërkombëtar. Asanaj kishte 11 plagë. Në vendin e ngjarjes ishte gjetur thika dhe një letër që pretendohej se ishte shkruar nga vetë ai dhe në të përmenden emrat e disa biznesmenëve, për të cilët pretendohej se i kishin bërë trysni gjatë disa proceseve të privatizimit. Në Kosovë kishte shumë diskutime nëse vdekja e këtij ish-zyrtari të lartë ishte vrasje ose vetëvrasje. Por, raporti i autopsisë e cilësoi si vetëvrasje.
29 gusht 2012 – Kosova prezantohet për herë të parë në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. Shteti u përfaqësua nga Përparim Rama me pavijonin “Punuesi i filigranit”. Prej asaj kohe Kosova merr pjesë në edicionet e arkitekturës dhe ato të artit bashkëkohor.
10 shtator 2012 – Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli përfundimin e mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës. Vendimi u mor në takimin e këtij grupi në Vjenë, me arsyetimin se plani i kryenegociatorit të OKB-së, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit është shpallur Pavarësia, “është zbatuar në mënyrë thelbësore dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtarë për përmbyllje të Pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbylljes së Zyrës Civile Ndërkombëtare”.
17 tetor 2012 – Nënshkruhet kontrata për privatizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë. Konsorciumi turk “Limak Çalik” u shpall fitues, pasi ofroi shumën prej 26.3 milionë eurosh. Privatizimi i distribucionit të KEK-ut, që u përcoll me protesta të shumta dhe peticione, u konsiderua se është shitur lirë dhe baras me çmimin e 2.6 kilometrash autostradë, që atëkohë ndërtohej.
18 tetor 2012 – Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë të re, me anë të së cilës autorizon Qeverinë që të udhëheqë procesin e dialogut politik me Serbinë. Rezoluta thekson që marrëveshjet duhet të jenë në pajtim me sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin ndërkombëtar, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm kushtetues të Kosovës.
19 tetorit 2012 – Ndodh takimi i parë në Bruksel në kuadër të dialogut me karakter politik, për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Shteti përfaqësohet nga Hashim Thaçi në cilësinë e kryeministrit, ndërkaq fqinji verior nga kryeministri Ivica Daçiq. Takimi u lehtësua nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton.
13 nëntor 2012 – Arrestohet Natali Velija, nën dyshimin se si pronare e firmës “Consulting EU” ka përvetësuar rreth 1,4 milionë euro, mjete këto që do të duhej t’i transferoheshin ndërmarrjes austriake “Österreichische Staatsdruckerei” (OeSD), e kontraktuar për të prodhuar pasaportat e Kosovës. Ajo dhe bashkëpunëtorë të saj u dënuan me burg.
16 nëntor 2012 – Kosova bëhet anëtarësuare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Nga ajo, më vonë përfitoi përkrahje në projekte edhe për sektorin privat. Nga koha e anëtarësimit janë përkrahur 96 projekte, vlera e të cilave është rreth 625 milionë euro.
29 nëntor 2012 – “KOHA Ditore” raporton për skandalin e punësimeve në institucione dhe të ndikimit në ndërmarrjet publike, që dëshmoheshin nëpërmjet rrjedhjes së përgjimeve telefonike të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Skandali i njohur si “Pronto” lëkundi skenën politike në vend, por prokuroria nuk nisi hetimet. Një seri tjetër e këtyre përgjimeve publikohet në vitin 2016 dhe pas presionit qytetar nëpërmjet protestave ngrihet një aktakuzë, por e cila ka përfunduar pa ndonjë të dënuar.
13 prill 2013 – Pas 10 raundesh të takimeve në kuadër të dialogut të karakterit politik Kosovë-Serbi, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherin Ashton, njoftoi se të dy kryeministrat, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, ishin dakorduar mbi tekstin e marrëveshjes së parë politike, e njohur si “Marrëveshja e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”. Dokumenti 15-pikësh në pjesën më të madhe adreson integrimin e serbëve në komunat veriore, përmes themelimit të një asociacioni. Marrëveshja parasheh integrimin e pjesëtarëve të strukturave ilegale serbe të sigurisë, në institucionet e Kosovës. Po kështu, edhe mbajtjen për herë të parë pas shpalljes së Pavarësisë të zgjedhjeve lokale në komunat e veriut.
27 qershor 2013 – Kuvendi ratifikon marrëveshjen e parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Pro saj votuan më shumë se dy të tretat e deputetëve.
5 mars 2014 – Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e luan ndeshjen e parë miqësore të pranuar nga FIFA. Në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, Kosova zhvilloi përballje me Haitin. Stadiumi ishte i stërmbushur me shikues, ndërsa entuziazmi shumë i madh. Ndeshja nuk ofroi gola, por ajo u vlerësua fitore e madhe për sportin kosovar dhe për Kosovën në përgjithësi.
11 gusht 2014 – Prokuroria Speciale arreston 40 persona, nën dyshimin se ishin të përfshirë në rekrutimin e qytetarëve kosovarë për të luftuar në Siri. Në mesin e të arrestuare pati edhe hoxhallarë. Arrestimet vazhduan edhe muajt e vitet në vijim. Një pjesë e tyre u liruan e Kosova u bë një nga shtet e para që me ligj e ndaloi bashkimin e qytetarëve në luftërat jashtë vendit dhe që shqiptoi dënime të ashpra për të akuzuarit për ekstremizëm të dhunshëm.
11 tetor 2014 – Prokuroria Speciale arrestoi dhjetëra mjekë e përfaqësues të spitaleve private në Kosovë, për skandalin që më vonë do të njihej si afera “Stenta”. Pas arrestimit u publikuan komunikimet e disa kardiologëve, kryesisht të QKUK-së, që tregonin se referoheshin në spitale private pacientë që kishin nevojë për stenta dhe se për secilin referim merrnin ryshfet nga 500 euro. Dy vjet më vonë u ngrit aktakuzë ndaj 64 personave.
19 tetor 2014 – Pas gjashtë muajsh ngërçi institucional, LDK-ja e udhëhequr nga Isa Mustafa braktis bllokun anti-PDK që përbëhej nga LVV-ja, AAK-ja e Nisma. LDK-ja i bashkohet partisë fituese, PDK-së, dhe marrëveshja me të parasheh që Mustafa të zgjidhet kryeministër. Kësisoj, për herë të parë pas lufte, LDK-ja merr drejtimin e Qeverisë.
28 tetor 2014 – “Koha Ditore” publikoi skandalin e misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX. Gjykatësja britanike, Maria Bamieh, akuzoi tre nga kolegët e saj se për dy vjet kanë marrë ryshfet për të penguar hetime apo për të falsifikuar dosjet e lidhura me krimin e organizuar. U publikuan edhe fakte që dëshmonin se ky mision, në mënyrë kontradiktore, ka vendosur për të akuzuarit për krime lufte.
9 dhjetor 2014 – Kosova bëhet anëtare me të drejta të plota e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (ICO). Më 22 tetor 2014, IOC-ja pranoi Kosovën si anëtare të përkohshme, ndërsa një muaj e gjysmë më vonë u bë pranimi i plotë. Pranimi në IOC hapi dyert për pranim të Kosovës në të gjitha federatat sportive, ndërsa sportistët e vendit fituan të drejtën e paraqitjes në Lojërat Olimpike dhe ngjarjet e tjera shumësportëshe.
3 gusht 2015 – Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese që mundësuan themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, me seli në Hagë. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, emërtim zyrtar ky i gjykatës, u formuan pas presionit ndërkombëtar mbi Kosovën, për të zbardhur akuzat e listuara në raportin e senatorit Dick Martty.
25 gusht 2015 – Kryeministri Isa Mustafa dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan pakon e Marrëveshjeve të Brukselit në të cilën u përfshinë: marrëveshja për energjinë, ajo për telekomunikacionin, marrëveshja e lëvizjes së lirë/urës së Mitrovicës, si dhe marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
27 tetor 2015 – Nënshkruhet në Strasburg Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit me Kosovën (MSA). Dokumenti që hyri në fuqi më 1 prill të 2016-s shënoi vendosjen e parë të marrëdhënieve kontraktuale midis Kosovës dhe BE-së. MSA-ja kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile përmbushin standardet e BE-së. Në kuadër të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje mbetet edhe përparimi në dialogun me Serbinë.
23 dhjetor 2015 – Gjykata Kushtetuese konstatoi se parimet e dakorduara në 2015-n mes Kosovës dhe Serbisë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës. Gjykata theksoi se Asociacioni duhet formohet konform marrëveshjes së 2013-s dhe kërkoi që vendimet lidhur me këtë mekanizëm, statuti dhe akti ligjor shoqërues që duhet ta nxjerrë qeveria, të jenë në përputhje të plotë me Kushtetutën.
14 janar 2016 – Filmi “Shok” nominohet për çmimin “Oscar” në kategorinë “Best Live Action Short”. Academy Awards e kishte për nominim filmin me skenar dhe regji të Jamie Donoughue e producentë Eshref Durmishin dhe Harvey Ascott. Ky sukses qe komentuar si dëshmi e potencialit që ka dhe rrëfimeve që mund të shpalosë Kosova.
26 shkurt 2016 – Hashim Thaçi zgjidhet president i Kosovës. Ai siguroi votat në raundin e tretë të votimeve, mes tensionesh të larta politike. Në këtë raund siguroi 71 vota, pasi që në dy të parat nuk arriti t’i merrte dy të tretat e votave të deputetëve. Zgjedhja u kundërshtua nga partitë opozitare, të cilat dy herë radhazi ndërprenë seancën duke hedhur gaz lotsjellës.
6 maj 2016 – Federata e Futbollit e Kosovës pranohet në Konfederatën Evropiane të Futbollit (UEFA). Për pranimin e Kosovës ishin 28 federata të vendeve evropiane, ndërsa kundër ishin 24. Pranimi në UEFA hapi dyert për pranimin në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), që u zyrtarizua më 13 maj 2016. Për pranimin e Kosovës në FIFA votuan 141 federata nacionale.
4 gusht 2016 – Një sulm me mjet shpërthyes mbi ndërtesën e Kuvendit u bë nga distanca, pak kohë pasi qeveria e dërgoi në këtë institucion Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi. Sulmi ndodhi në kohën e krizës më të thellë politike në Kosovë, dhe pas një periudhe disamujore të kundërshtimeve të ligjvënësve nga opozita ndaj marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria për demarkacionin me Malin e Zi dhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Autoritetet arrestuan pesë aktivistë të LVV-së dhe i akuzuan për sulmin, por gjashtë vjet më vonë ata u liruan nga akuza.
7 gusht 2016 – Majlinda Kelmendi e fitoi medaljen e artë olimpike në xhudo. Lojërat Olimpike të vitit 2016 u mbajtën në Rio, ndërsa Majlinda shkëlqeu në kategorinë deri 52 kilogramë. Në finale e mposhti italianen Odette Giuffrida. Majlinda ka edhe dy tituj të botës, katër të Evropës dhe shumë medalje tjera në ngjarjet e mëdha sportive. Medalje të arta olimpike në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” – që për shkak të pandemisë u mbajtën në vitin 2021 – fituan edhe Distria Krasniqi e Nora Gjakova.
5 shtator 2016 – Përfaqësuesja e Kosovës në futboll luan ndeshjen e parë kualifikuese. Përballja në Turku ndaj Finlandës, i takoi eliminatoreve për Kupën e Botës të vitit 2018, dhe përfundoi 1:1. Golin e parë për Kosovën e shënoi Valon Berisha, i cili realizoi në minutën e 60-të nga pika e bardhë. Ndeshjes i kishin paraprirë zhvillime dramatike. Deri pak orë para se përfaqësueset të dilnin në fushë, nuk dihej se cilët lojtarë të Kosovës kishin leje nga FIFA. Shumë prej tyre kishin ndërruar përfaqësuese dhe leja për disa prej reprezentuesve erdhi pak orë para fillimit të ndeshjes.
5 nëntor 2016 – Qendra e Paraburgimit në Prizren bën të ditur se një nga të paraburgosurit është gjetur i vdekur. Pak minuta më pas konfirmohet se brenda qelisë së tij ishte gjetur i vdekur ish-aktivisti i LVV-së, Astrit Dehari, i cili aty po qëndronte nën dyshimet se me pesë persona të tjerë kishte marrë pjesë në sulmin e gushtit të po atij viti, me granatahedhëse ndaj Kuvendit të Kosovës. Prej atëherë ka pasur përplasje politike në lidhje me këtë vdekje: LVV-ja insiston se ishte vrasje, e autoritetet kanë theksuar se ishte vetëvrasje.
9 dhjetor 2016 – Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit vendos në favor të padisë së “Z-Mobilit” kundër Telekomit të Kosovës, duke e detyruar atë që të paguajë mbi 30 milionë euro, për shkëputje të njëanshme të një kontrate. Ndërsa më 21 shkurt 2022, “Z-Mobile” fitoi për herë të dytë në Arbitrazh, duke detyruar Telekomin që të paguajë mbi 11 milionë euro shtesë. Shkak për këtë u bë mosvazhdimi i kontratës.
4 janar 2017 – Policia franceze arreston ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia. Ai u ndalua në një burg në Francë, meqë Serbia e akuzonte për krime lufte, pavarësisht se paraprakisht ai ishte liruar nga të tilla akuza nga Gjykata e Hagës. Pas gati katër muajsh në mbajtje nga autoritetet franceze, Haradinaj lirohet meqë gjykata franceze refuzon kërkesën e Serbisë për ekstradimin e tij.
11 qershor 2017 – Mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale, në të cilat fiton koalicioni parazgjedhor mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës, i njohur si koalicioni PAN. Ramush Haradinaj zgjidhet kryeministër e Kadri Veseli kryeparlamentar.
7 shtator 2017 – Brenda disa orësh në sallat kirurgjike në QKUK vdesin pesë pacientë. Pretendimet e para ishin se vdekjet e tyre nuk ishin të natyrshme, por të shkaktuara nga përdorimi i oksidulit – një lloj gazi që përdoret në salla gjatë operimeve. Oksiduli ishte kontraktuar pa certifikatë të cilësisë të lëshuar nga Agjencia e Barnave dhe dyshohej se ishte prodhuar nga një kompani që merrej vetëm me gazin industrial. Hetimi për këtë rast nuk është përmbyllur asnjëherë.
12 shtator 2017 – Kosova nënshkruan marrëveshje me Agjencinë Federale Amerikane “Korporata e Sfidave të Mileniumit” duke fituar donacion prej 49 milionësh. Vite më vonë u nënshkrua marrëveshja e re, nga e cila shteti fitoi 202 milionë euro, për të investuar në fushën e energjisë.
27 nëntor 2017 – Merret vendimi që konsorciumit “Bechtel Enka” t’i paguhen 53 milionë shtesë të buxhetit të shtetit, në emër të vonesave të pagesave për ndërtimin e autostradës “Arben Xhaferi”. Ndonëse kompania e kontraktuar nga Qeveria për mbikëqyrjen e projektit hartoi një raport në bazë të të cilit dëmi 53-milionësh nuk ishte real dhe se borxhi ishte vetëm 14 milionë, dokumenti u shpërfill nga Pal Lekaj, që ishte ministër i Infrastrukturës. Për këtë Lekaj dhe zyrtarë të tjerë janë akuzuar për korrupsion. Rasti ende nuk ka përfunduar në gjykatë.
17 shkurt 2018 – Këngëtarja me nam botëror Rita Ora rikthehet në Prishtinë. Pas vitit 2012, kur edhe realizoi videoklipin “Shine Ya Light”, më 2018 kryeqyteti u bë nikoqir i saj për të mbajtur koncertin qendror me të cilin është shënuar 10-vjetori i Pavarësisë. Po në këtë vit nisi edhe organizimi i festivalit “Sunny Hill”, ku performoi ylli i popit Dua Lipa.
28 shkurt 2018 – Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) përjashton Agjencinë e Akreditimit të Kosovës. Kjo për shkak të vendimit që Qeveria e drejtuar nga Ramush Hardinaj e kishte marrë për të shkarkuar anëtarët e Bordit dhe të menaxhmentit të Agjencisë së Akreditimit.
21 mars 2018 – Kuvendi i Kosovës ratifikoi Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për ratifikimin e demarkacionit u zhvillua disa kohë pasi AAK-ja dhe Nisma u bënë pjesë e Qeverisë, ndonëse në mandatin paraprak sa ishin në opozitë, bashkë me LVV-në, kishin kundërshtuar marrëveshjen duke hedhur gaz lotsjellës brenda sallës plenare dhe duke organizuar protesta masive në kryeqytet, nën pretendimin se me marrëveshje Kosova humbte territor.
29 mars 2018 – Kapen dhe deportohen gjashtë shtetas turq me lejeqendrim të rregullt në Kosovë. Aksioni, në të cilin ishte përfshirë inteligjenca turke, ishte mbajtur fshehtë kryeministrit Ramush Haradinaj. Ankaraja zyrtare i konsideroi ata si gylenistë dhe i dënoi me dhjetëra vjet burg. Pas deportimit të tyre, Haradinaj liroi nga detyra ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe shefin e AKI-së, Driton Gashi. Me vonë Prokuroria e Shtetit ngriti aktakuzë kundër disa zyrtarëve, për deportim të jashtëligjshëm. Rasti ende nuk ka përfunduar në gjykatë.
16 prill 2018 – Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur si PISA, përfshiu për herë të parë edhe nxënësit nga Kosova. Në testin që iu nënshtruan 70 vende të botës rezultatet e renditen Kosovën në vendin e 68-të. Kosova nuk shënoi përparim as në testin pasues.
15 gusht 2018 – Jep dorëheqjen prokurori special, Elez Blakaj. Vendimin e mori disa ditë pasi e hartoi aktakuzën për veteranë të rrejshëm të UÇK-së, e në të cilën përfshiu 12 anëtarët e komisionit qeveritar për njohjen e statusit të veteranëve. Blakaj që atëkohë migroi në SHBA, akuzoi krerët e drejtësisë, përfshirë kryeprokurorin, për ndërhyrje në procesin hetimor që po e udhëhiqte. Pas kësaj kryeministri Ramush Haradinaj e fyeu, duke iu referuar si “hajn i pulave”. Gjykimi për këtë rast ende nuk ka përfunduar e listat e veteranëve nuk janë pastruar.
21 nëntor 2018 – Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj vendos taksë doganore 100 për qind ndaj produkteve me origjinë Serbinë. Para vendosjes së saj, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. E, pas këtij veprimi, Serbia braktisi dialogun me Kosovën, vazhdimit të të cilit i druhej Haradinaj, meqë ishte kundër një zgjidhjeje për shkëmbim territoresh, që proklamohej nga presidenti Thaçi e homologu i tij serb Vuçiq.
14 dhjetor 2018 – Forca e Sigurisë merr mandat ushtrie, nëpërmjet tri ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Kosovës. Ndonëse emri i FSK-së nuk pëson ndryshime për shkak të pamundësive për ndryshime kushtetuese, Ministria e FSK-së emërtohet Ministri e Mbrojtjes.
19 korrik 2019 – Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit. Lajmin për dorëheqje e bëri të ditur në fund të mbledhjes së qeverisë e arsyet më në detaje i shpalosi disa minuta më vonë në një konferencë për medie. Haradinaj tha se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe theksoi se, duke dhënë dorëheqje, po e evitonte mundësinë që në Hagë ta dërgonte kryeministrin e Kosovës.
6 tetor 2019 – Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për herë të parë del subjekt fitues LVV-ja. Pas koalicionit me LDK-në, kryeministër bëhet Albin Kurti e kryeparlamentare Vjosa Osmani. Koalicioni qe jetëshkurtër, meqë përcaktimi i Kurtit për ta jetësuar zotimin për reciprocitet me Serbinë nxiti përçarje. Ndërkombëtarët e kundërshtonin këtë e LDK-ja insistonte që ata të dëgjoheshin.
10 tetor, 2019 – Në Novi-Sad të Serbisë lansohet nisma e Mini-Shengenit Ballkanik, nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Të tre liderët e këtyre shteteve nënshkruan një deklaratë zotimi për zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve. Në nismën që vite më vonë u riemërtua në “Ballkan i Hapur”, refuzuan të përfshihen Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, pasi theksuan se ajo po i bënte paralelizëm Procesit të Berlinit.
13 mars 2020 – Konfirmohet mbërritja e pandemisë COVID-19 në Kosovë. Dy raste me koronavirusin Sars-CoV-2 u konfirmuan pas testeve të bëra. Vendi me pas u mbyll, si masë e parë urgjente për të ndaluar përhapjen e pandemisë. Me kalimin e javëve e muajve numri i rasteve u rrit. Virusi ka shkaktuar mijëra vdekje, por situata ishte më e kontrolluar se në shumë vende të tjera.
25 mars 2020 – Votohet në Kuvend mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti. Mocioni u iniciua nga partnerja e koalicionit qeverisës, LDK-ja, dhe u mbështet edhe nga partitë opozitare. Kriza në koalicion nisi për çështje që lidheshin me Serbinë, e qe thelluar pasi Kurti shkarkoi ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, një eksponent i LDK-së.
31 mars 2020 – Qeveria në detyrë e drejtuar nga Albin Kurti merr vendim që të shfuqizohen tarifat 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina dhe të fillojë me zbatimin e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë. Kurti tha se vendimi obligon që në marrëdhëniet me Serbinë emërtimet te certifikatat fitosanitare dhe dokumentet e tjera përcjellëse, si dhe në certifikatat veterinare dhe dokumentet tjera përcjellëse të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës.
3 qershor 2020 – Kuvendi voton Qeverinë e re të Kosovës, me kryeministër Avdullah Hotin nga LDK-ja. Pjesëmarrës në seancë ishin 86 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi, e pro qeverisë votuan 61 deputetë, 24 ishin kundër dhe një abstenoi. Pjesë e Qeverisë u bënë edhe AAK dhe Nisma, ndërsa paraprakisht LDK-ja dhe opozita votuan mocionin pro rrëzimit të Qeverisë Kurti.
6 qershor 2020 – Qeveria e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti shfuqizon vendimin e Qeverisë së pararendësit të tij, Albin Kurti, për zbatimin e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë. Hoti e kualifikoi të rëndësishëm vendimin e marrë, pasi theksoi se me të do t’i hapej rrugë dialogut.
24 qershor 2020 – Gjykata Speciale konfirmon se ka ngritur aktakuzë për krime lufte kundër presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-drejtuesve tjerë të UÇK-së: Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. Në momentin kur Specialja publikoi komunikatën, Thaçi ndodhej rrugës për në SHBA, ku planifikohej të firmosej një marrëveshje Kosovë-Serbi, e sponsorizuar nga presidenti amerikan, Donald Trump. Me ta marrë lajmin, ai e anuloi vizitën e edhe data për nënshkrimin e marrëveshjes u shty.
4 shtator 2020 – Në Shtëpinë e Bardhë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan marrëveshjen 16-pikëshe për normalizim ekonomik, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Në bazë të marrëveshjes Kosova aplikoi moratorium 1-vjeçar për të mos aplikuar në organizata ndërkombëtare e Serbia e ndali fushatën e çnjohjeve. Por, ajo ia siguroi shtetit njohjen nga Izraeli.
9 tetor 2020 – Brenda disa orësh zhduken 2 milionë e 77 mijë euro nga Thesari i Shtetit. Vjedhja është kryer përmes sistemit elektronik për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin (SMFK), dhe paratë u transferuan në xhirollogarinë e kompanisë me emrin “LDA Group”. Ishin bërë 4 pagesa në emër të tri projekteve rrugore. Sipas informacioneve që i siguroi KOHA, ndërmarrja kriminale ka përfunduar në orën 12:41 minuta të asaj dite, në kohën kur zyrtarët e administratës e kanë orën e pauzës së drekës. U arrestuan tre persona, përfshirë edhe ish-zyrtarin e Thesarit, Labinot Gruda, i cili pranoi fajësinë për vjedhje të kësaj shume.
5 nëntor 2020 – Hashim Thaçi jep dorëheqje nga pozita e presidentit të shtetit. Lajmin e bëri publik në një konferencë për media dhe tregoi se vendimin e mori pasi Gjykata Speciale kishte konfirmuar aktakuzën për krime lufte. Të njëjtën ditë, ai bashkë me ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, e edhe me ish-deputetin Rexhep Selimi udhëtuan për në Hagë të Holandës, për t’u përballur me akuzat. Të katërtit ende ndodhen në paraburgim.
21 dhjetor 2020 – Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm procesin e votimit të qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti, duke imponuar zgjedhje të reja. Kushtetuesja e mori vendimin pas ankesës së LVV-së, e cila kërkoi interpretim për votën e deputetit Ethem Arifi, i cili ishte dënuar për korrupsion me vendim të formës së prerë. Sipas gjykatës, “asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
14 shkurt 2021 – U mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme, në të cilat LVV-ja fitoi, duke u bërë partia e parë pas lufte që siguron më shumë se gjysmën e të gjithë votave. Në këto zgjedhje asaj i ishte bashkuar Lista Guxo, një grupim eksponentësh politikë të prirë nga Vjosa Osmani që e kishin braktisur LDK-në në shenjë pakënaqësie pas prishjes së koalicionit me LVV-në. Me grupin prej 61 deputetësh, Kurti e krijoi qeverinë vetëm me minoritetet joserbe.
11 mars 2022 – U përurua parku i erës në Bajgorë dhe Selac të Mitrovicës, projekt gjermano-izraelit me vlerë prej 169 milionë eurosh. Ky park ka 27 turbina dhe mbulon 10 për qind të kapacitetit të instaluar të energjisë në Kosovë. Projekte të tilla janë edhe ato në Kitkë me kapacitet prej 52.4 megavatesh dhe Budakovë me 46 megavate.
4 prill 2021 – Vjosa Osmani zgjidhet presidente e shtetit. Ajo fitoi në raundin e tretë të votimit, kur morën pjesë 82 deputetë. Seancën e bojkotuan deputetët e PDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe, ndërkaq kuorumin për zgjedhjen ia mundësoi ish-partia e saj, LDK-ja, që ndërkohë kishte bërë ndryshime në udhëheqje.
15 qershor 2021 – Kryeministri Albin Kurti për herë të parë takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ata nuk u pajtuan për ndonjë gjë, në takimin e zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe emisarit të posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak.
25 korrik 2021 – Dhjetë persona me origjinë nga Kosova vdiqën në një aksident në Kroaci, derisa po udhëtonin në autobusin e linjës Frankfurt-Prishtinë. Mbi 40 persona u lënduan. Autobusi kishte 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë.
12 maj 2022 – Kosova aplikon për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e kësaj organizate në Strasburg e ka dorëzuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
1 qershor 2022 – KOHA publikon hulumtimin e titulluar “Abuzimet me Fondin për Trajtim Jashtë Vendi”. Të 16 vazhdimet e hulumtimit dëshmuan abuzimin që ka bërë secila hallkë e shëndetësisë publike me dhjetëra miliona euro të ndara në emër të mbështetjes së pacientëve për t’u trajtuar në institucione private ose jashtë vendit. Hulumtimi dëshmoi se pagesat bëheshin në mënyrë të parregullt dhe faturat fryheshin. Pas hulumtimit u shkarkua Bordi i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, drejtori i përgjithshëm e gjithashtu edhe drejtori financiar, ndërkaq Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet.
9 shtator 2022 – Emisarët e lartë të Gjermanisë dhe Francës, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, dhe lehtësuesi evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ia prezantojnë kryeministrit Albin Kurti një propozim për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Plani nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por u referohet parimeve ndërshtetërore të së drejtës ndërkombëtare.
3 nëntor 2022 – Nënshkruhen tri marrëveshje rajonale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit: ajo për njohjen e kartave të identitetit, marrëveshja për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, si dhe marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.
5 nëntor 2022 – Përfaqësuesit serbë të veriut vendosën të braktisnin institucionet në Kosovë. Krahas institucioneve lokale, dorëheqjet përfshinë pozitat në Qeveri dhe Kuvend, dhe ato të gjyqësorit e Policisë. Vendimi u mor nën justifikimin se serbët nuk e mbështesin përcaktimin e Qeverisë për t’i obliguar ata që t’i konvertojnë në RKS targat ilegale serbe.
30 nëntor 2022 – Ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së u pajtuan për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. Presidenca Çeke e BE-së përfundimisht nisi negociatat me Parlamentin Evropian dhe Komisionin Evropian, si hap i fundit para udhëtimit pa viza. Nën kushtet aktuale, liberalizimi i vizave do të nisë në datën e hapjes së sistemit ETIAS dhe në asnjë rast më larg se 1 janari 2024.
15 dhjetor 2022 – Kosova dorëzoi zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryeministri Albin Kurti ia dorëzoi aplikacionin përfaqësuesit të Republikës Çeke, vend ky që e mbante kryesimin e BE-së. Në konferencën për shtyp pas aktit zyrtar kryeministri e kualifikoi 15 dhjetorin si një ditë historike për popullin e Kosovës e të jashtëzakonshme për demokracinë në Evropë. Pas sigurimit të statusit të vendit kandidat, procedura parasheh që të bëhet hapja e negociatave që pasohet nga nënshkrimi i traktatit për pranim midis BE-së e vendit kandidat. E më pas nevojitet të bëhet ratifikimi i tij nga të gjitha vendet anëtare të bllokut evropian.
16 dhjetor 2022 – Gjykata Speciale shqipton dënimin e parë për krime lufte. Ish-komandantin e UÇK-së në zonën e Llapit, Salih Mustafa, ajo e dënoi me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Ndërkaq e shpalli të pafajshëm për trajtim mizor, vepër për të cilën e akuzonte prokuroria.
6 shkurt 2023 – Kryeministri Albin Kurti e pranon Planin evropian për dialogun Kosovë-Serbi. Pas takimit me emisarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ai tha se plani paraqet bazë të mirë për negociata të mëtutjeshme. Ndonëse dokumenti nuk parasheh njohje të ndërsjellë, Kurti theksoi se me të sigurohet njohja de fakto.