Haki Abazi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka akuzuar rëndë partinë e tij në pushtet, duke thënë se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari. Ka thënë se kryeministri Albin Kurti e të tjerë duhet të merren në pyetje nga Prokuroria për rastin.
Mostrat e Deharit u zhdukën në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati thënë se ky veprim ka për qëllim që të dështojë përfundimisht procesi hetimor për vdekjen e Deharit. U pezulluan nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML). Por Abazi pretendon se IML-ja është nën vëzhgim të kamerave 24 orë, dhe sipas tij, dihet qartë se kush ka hyrë brenda frigoriferit për t’i nxjerr mostrat.
Në konferencë, Abazi ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka kërkuar shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.
“Video-incizimet janë ato që duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit. Hulumtimi im i fundit ka sjell te shkarkimi nga posti i kryetarit të Komisionit të Jashtëm dhe anatetimi brenda Vetëvendosjes. Shkarkimi im është minor kundrejt borxhit për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari. Si është e mundur që në pushtetin e VV-së të zhduken mostrat e Deharit dhe kryeministri Kurti të mos ta thotë asnjë fjalë. Ne si shoqëri, si deputet, nuk mund të rrimë të heshtur përballë një procesi të këtillë. Ne duhet ta kryejmë punën tonë për ta kryer këtë deri në fund. Dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi e ka nxjerr mostrat që kanë qenë të vendosura nën mostrat e tjera. IML-ja është 24 orë e monitoruara me kamera”, ka thënë ai në konferencë për media të enjten.