Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, rikonfirmoi të enjten se është dhënë urdhër për shkarkimin e tij nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BE-Kosovë.
Në një konferencë për media, ai tha se urdhri është dhënë nga kryeministri Albin Kurti, pasi i njëjti po kërkon njerëz që duan ta rrëzojnë nga pushteti. Megjithatë, Abazi tha se nuk ka votë kundër Qeverisë Kurti, transmeton Telegrafi.
“Jam këtu për të konfirmuar që është dhënë urdhër për shkarkimin tim nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BE- Kosovë. Për shumicën prej jush nuk është krejt e papritur kjo gjë. Kureshtja sot është për arsyen që ka sjell deri te vendimi i kryeministrit për shkarkimin tim”.
“Çështja kryesore është që Kurti mendon se unë do të hidhërohem shumë dhe do të bëhem pjesë e atyre që duan ta rrëzojnë nga Qeveria. Dy vite pas marrjes së mandatit, zoti Kurti është në kërkim të atyre që duan ta rrëzojnë nga Qeveria. Iu kam thënë në fillim e përsëris edhe sot që unë nuk jam votë kundër Qeverisë Kurti”, deklaroi deputeti i VV-së.
Ai tutje u shpreh se opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë Kurti sepse nuk i ka votat.
“Grenelli nuk ekziston më, Escobari nuk është njeriu që mund të krahasohet me Grenellin. Askush nuk e ka asnjë interes racional për ta rrëzuar Qeverinë Kurti. Është detyrë e opozitës, por ajo nuk i ka votat”, deklaroi Abazi.