ChatGPT, programi i inteligjencës artificiale që po shënon një rritje të shpejtë, mori vëmendjen e publikut për shkak të aftësisë për t’iu përgjigjur me shpejtësi dhe në formë të zgjeruar një sërë pyetjesh.
Programi ka zgjuar interesimin e investitorëve të cilët janë të etur të bëhen pjesë e zbulimit tjetër të madh në teknologji.
I krijuar nga kompania private OpenAI, me mbështetjen e kompanisë Microsoft, programi ChatGPT regjistroi 100 milionë përdorues aktivë mujorë, vetëm dy muaj pas publikimit të aplikacionit, gjë që e bëri atë programin me rritjen më të shpejtë të përdoruesve në histori.
Popullariteti i tij mori vëmendjen e ligjvënësve amerikanë, të cilët kanë pikëpyetje mbi ndikimin e programit në sistemin arsimor, në sigurinë kombëtare dhe mënyrës se si do të rregullohet ai.
Ligjvënësi demokrat Ted Lieu, anëtar i Komisionit të Shkencës në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se ndërsa ishte i emocionuar për programin robotik, është gjithashtu i tmerruar nga inteligjenca artificiale, nëse ajo lihet e pakontrolluar dhe e parregulluar.
Senatori demokrat Ron Wyden, sipas një ndihmësi të tij, theksoi nevojën për t’u siguruar që Inteligjenca Artificiale të mos përfshijë paragjykime, që do të çonin në diskriminim në botën reale.
Një firmë ligjore, aktiviteti i së cilës përqëndrohet në përgjegjësitë e Inteligjencës Artificiale, vuri në dukje shqetësimet mbi sigurinë kombëtare, duke paralajmëruar për mundësitë që aktorë keqdashës, brenda dhe jashtë vendit, që kanë interesa të kundërta me Shtetet e Bashkuara, t’i përdorin këto sisteme për krijimin e materialeve të pavërteta dhe dëmshme.
Shumica e shqetësimeve rreth programit ChatGPT vijnë nga profesorët, të cilët shprehin frikën mbi mashtrimet e mundshme në shkolla dhe universitete si dhe plagjiaturën.
Të tjerë kanë shprehur shqetësime se programi kompjuterik mund të përdoret për përhapje të lajmeve të rreme.
Në një deklaratë kompania OpenAI tha se “ne nuk duam që ChatGPT të përdoret për mashtrime në shkolla, ose kudo tjetër, prandaj jemi duke punuar në krijimin e masave zbutëse për të ndihmuar këdo që të identifikojë materialet e krijuara nga ky sistem”.
Vetë programi ChatGPT dha një përgjgije interesante kur u pyet se si duhet të jetë i rregulluar:
“Si një model neutral i gjuhës së inteligjencës artificiale, unë nuk kam një qëndrim ndaj ligjeve specifike, që mund, ose nuk mund të miratohen për të rregulluar sistemet e inteligjencës artificiale si unë”, u përgjigj vetë sistemi.
Por më pas ai përpiloi një listë të fushave ku duhet të përqëndrohen rregullatorët, si privatësia e të dhënave, paragjykimi, drejtësia dhe transparenca në mënyrën se si shkruhen përgjigjet. (VoA)