Shkon në mbi 28 mijë shifra e të vdekurve nga tërmeti në Turqi e Siri

Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri si pasojë e tërmetit shkatërrues të së hënës ka kaluar shifrën 28 mijë, dhe shpresat për të gjetur më tepër të mbijetuar po zbehen, përkundër disa mrekullive ku po nxirren të mbijetuar nga rrënojat pas shumë orëve qëndrimi, raporton BBC.

Ekipet e kërkim-shpëtimit të Gjermanisë dhe Austrisë ndaluan përkohësisht operacionet të shtunën, duke cituar përleshje mes disa grupeve.

Siguria pritet të përkeqësohet pasi janë duke u shterur furnizimet me ushqim, ka thënë një shpëtimtar.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se do të ndëshkohet cilido që thyen ligjin.

Zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay, ka njoftuar të shtunën se shifra e të vdekurve në Turqi është rritur në 24.617.

Ndërkohë mbi 6000 ndërtesa janë shembur. Oktay ka thënë se janë arrestuar 12 persona për shembjen e ndërtesave në Gaziantep e Sanliurfa, përfshirë edhe kontraktuesit. Ndërkohë janë lëshuar 113 urdhërarreste në lidhje me ndërtesat.

Në Siri numri i të vdekurve ka arritur aktualisht në 3575.

Në mesin e të shpëtuarve të shtunën ishte një familje pesëanëtarëshe në Gaziantep. Po ashtu u shpëtua edhe një vajzë shtatëvjeçare në Hatay pas gati 132 orëve nën rrënoja.