Lajmërohet Rilind Gërvalla, kritikon opozitën për ndërhyrje në RTK


Rilind Gërvalla, ka reaguar për herë të parë pas zgjedhjes drejtor i televizionit publik (RTK). 

Përmes një statusi në facebook, Gërvalla ka kritikuar opozitën për ndërhyrje në RTK, duke thënë se mënyra e zgjedhjes së tij drejtor ishte krejtësisht korrekte.

Ai madje, ka shtuar se krerët e opozitë nuk bëjnë mirë të keqpërdorin historinë e tij politike për të hedhë dyshime në integritetin personal e profesion.

“Por krerët e politikës nuk bëjnë mirë me keqpërdorë këtë histori tonën të përbashkët për me hedhë dyshime në integritetin personal dhe në etikën profesionale të gazetarëve. Fakti që unë kam fituar pikët maksimale në proces rigoroz të konkurimit duhet të sigurojë çdokënd për dy gjëra me rëndësi. E para, se unë kam një ankorim të fortë në vlerat etike të profesionit tim: se për mua, gazetaria objektive qëndron mbi të gjitha. Unë thjesht kam bindjen se sot i shërbej më së miri atdheut duke qenë profesionist i paanshëm i gazetarisë. Dhe e dyta, se unë nuk jam i ndikueshëm nga politika ditore”, ka shkruar Gërvalla.

Ai ka folur edhe për deklaratat e subjekteve politike në këtë rast të LDK-së se do ta bojkotojnë tërësisht televizionin publik deri në anulimin e përzgjedhjes së Gërvallës si drejtor të RTK-së.

“Unë dua t’i përkujtoj të gjithë krerët e politikës se ata janë të obliguar ligjërisht që të respektojnë integritetin e RTK-së si institucion publik. Se në këtë respekt ligjor përfshihen edhe proceset interne të validimit profesional, rekrutimit, e punësimit brenda institucionit. E se mësymja e bojkotet përbëjnë ndërhyrje të politikës në një institucion të pavarur. Ju pra po shkelni vetë, që sot, mbi atë dërrasë të kalbur mbi të cilën po spekuloni se ndoshta mund të shkel unë dikur në rolin tim të ri!”, shkruan Gërvalla.