Në fund të këtij viti është folur që Komisioni Evropian do t’i propozojë Këshillit të BE-së krijimin e një plani investiv për zhvillimin ekonomik në formë të një “mini marshall” plani me qëllim të ngritjes së ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimore, pas kalimit të pandemisë Covid-19. Por, se cila do të jetë qasja e Kosovës ndaj këtij propozimi, tregon drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani.
Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se përtej çdo premtimi tjetër politik rreth integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, një plan i tillë do ta vuloste përfundimisht vendosjen e ekonomive të rajonit në një nivel tjetër konkurrues, duke përfshirë edhe vendin tonë.
“Po, është e vërtetë se Bashkimi Evropian qysh në ditët e para të goditjes nga pandemia Covid-19 kishte reaguar se do të ketë një kujdes të posaçëm ndaj Ballkanit Perëndimor, duke përmendur edhe të ashtuquajturin planin ‘mini-marshall’. Një gjë e tillë më vonë u konfirmua nga Komisioni Evropian, konkretisht në komunikatën e datës 29 prill, ani pse aty flitet për një plan investues të fuqishëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përfundimisht, në deklaratën e Samitit, pika 11 i referohet prapë një plani të tillë. Tani do të mbetet të shikohet se si do të rrjedhin gjërat në këtë drejtim. Megjithatë, përtej çdo premtimi tjetër politik rreth integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, një plan i tillë do ta vuloste përfundimisht vendosjen e ekonomive të rajonit në një nivel tjetër konkurrues, duke përfshirë edhe vendin tonë dhe, rrjedhimisht, do të ishte premtimi më kuptimplotë në këtë fazë”, ka thënë Ujkani.