Murati: Në të kaluarën ka pasur nënvlerësim të pronave

Ministri i Financave, Hekuran Murati, duke komentuar ngritjen e vlerës së tatimeve në pronë, që ka alarmuar qytetarët ditët e fundit, ka thënë se “në të kaluarën ka pasur raste të nënvlerësimit të pronave”.

Të hënën dhe të martën qytetarë të shumtë reaguan nëpërmjet rrjeteve sociale pasi tatimi në pronë për vitin 2023 u erdhi me dyfish të vlerës në krahasim me tatimin në pronë të një viti më herët. Komunat kanë fajësuar Ministrinë e Financave për vlerësimin e ri të pronave, ndërsa Murati në Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike ka thënë se me këtë vlerësim “komunat kanë qenë të pajtuara”.

“Çështja e tatimit është ligji i kaluar më 2018. Bëhet fjalë për një ligj që është në fuqi. Ministria s’ka marrë asnjë vendim për të rritur tatimin. Shkallët tatimore i caktojnë komunat e MF-ja e ka obligimin ligjor për t’i asistuar në vlerësimin e pronave. Ligji e thotë këtë. Njëjtë si vlerësimi për shpronësim. Me sa u njoftova unë sot, ky vlerësim u është dorëzuar komunave qysh në muajin tetor. Dhe s’ka pas që kanë pasur vërejtje përjashtim 3 komunave. Tani që po vendoset nga disa komuna që të bëhet politikë me këtë gjë, e konsideroj që është e ulët dhe nuk i takon një përfaqësuesi të qytetarëve të bëjë gjëra të tilla”, ka thënë ai duke shtuar se “me vite të tëra ka pasur raste që s’ka pasur vlerësim fare” apo edhe “ka pasur nënvlerësim”.

Murati ka thënë se si Ministri do të shikojnë mundësitë që “ta bëjnë të tejkalueshme situatën”.

“Por të kuptohet që tatimi në pronë është e hyrë e komunave. S’merr asnjë cent Qeveria e as MF-ja, por është interes i komunave”, ka thënë Murati.

Pas përplasjes me deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami, Murati ka lëshuar mbledhjen pa nisur raportimin për çka ishte ftuar.