Kryeministri Albin Kurti, bashkë me kryetarin e Skenderajt, Fadil Nurën, sot e ka vizituar fshatin Llaushë për të parë nga afër dëmet e shkaktuar nga vërshimet.
Bashkë me Kurtin dhe Nurën, ishin edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, si dhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Nura, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se të dëmtuara janë ekonomitë familjare, bujqësia, si dhe infrastruktura publike.
“Në disa zona është vështirësuar qarkullimi dhe furnizimet. Dëme të konsiderueshme u shkaktuan edhe ne fermën e pulave”.
“Familjet e prekura dhe Skenderaj në tërësi, në këtë gjendje çfarë ndodhen pas përmbytjeve, kanë nevojë më shumë se kurrë për përkrahje nga niveli qendror, që të harrohet ajo që ndodhi e të nisim nga e para”, ka shkruar Nura në rrjetin social Facebook.