Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas mosvotimit të pozitës për tërheqjen e Trustit.
Krasniqi përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se është për keqardhje injorimi i Qeverisë dhe deputetëve të VV’së që po u bën nevojave të qytetarëve, si kjo e tërheqjes së Trustit.
Ai madje ua ka përmendur edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, duke thënë se sa t’i kenë për miq anëtarë të partisë e zyrtarë të lartë tipat si Martin Berishaj, është normale që këtij Kryeministri do t’i mungojë vazhdimisht sensi i empatisë ndaj krizës me të cilën po ballafaqohen qytetarët.
Postimi i plotë i Krasniqit:
TRUST JO, MARTIN PO!
Është për keqardhje injorimi i vazhdueshëm që Qeveria Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje po u bëjnë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, sikur kjo e tërheqjes së një pjese të kursimeve të tyre nga Trusti.
Në vend të mbështetjes e ndihmës, e tëra që po përfitojnë qytetarët nga kjo Qeveri është keqqeverisja, skandalet korruptive, papërgjegjësia, regresi ekonomik e vështirësimi i jetës së tyre.
Si pasojë e krizës së rëndë ekonomike, është hera e dytë që me kërkesë të qytetarëve vjen në Kuvend nevoja për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga TRUST-i dhe po ashtu është hera e dytë që kjo mazhorancë e injoron.
Sa t’i kenë për miq, anëtarë të partisë e zyrtarë të lartë tipat si Martin Berishaj, është normale që këtij Kryeministri do t’i mungojë vazhdimisht sensi i empatisë ndaj krizës me të cilën po ballafaqohen qytetarët.