Modelet iPhone 15 Pro pritet të jenë më të shtrenjta


Telefonat e rinj të kompanisë Apple, modelet iPhone 15 Pro pritet të jenë me çmim më të lartë kur të lansohen, në krahasim me linjën më të fundit që u lansua në shtator, iPhone 14.

Siç është raportuar në uebfaqe të ndryshme të teknologjisë, Apple do të rrisë çmimin dukshëm në raport me modelet e sapolansuara. iPhone 14 Pro dhe iPhone 14 Pro Max kushtonin nga 999 deri 1099 dollarë. Pra, gjenerata e re do të nisë me çmime më të larta se kaq.

Sipas raportimeve, linja e re do të ketë ndryshime edhe në veçori. Pritet të vijë me kamerë më të përmirësuar e modelet Pro dhe jo-Pro do të kenë dallime më të mëdha.

Muajin e shkuar, u raportua se Apple është “e shqetësuar” për shitjet e iPhone 14 Plus, që nisin prej 899 dollarësh, 100 më lirë se iPhone 14 Pro. Si rezultat, kompania po planifikon strategji të ndryshme çmimi për t’i rritur shitjet e modeleve standard.