Prokuroria Themelore e Mitrovicës, ka njoftuar se me urdhër të prokurorit të shtetit janë arrestuar dy persona të dyshuar – mjekë të spitalit në Vushtrri, me iniciale E.S., dhe A.L., me dyshimin se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
“Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, dhe brenda afatit të paraparë ligjor, do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së sigurisë për të dyshuarit”, thuhet në njoftim.
Njëherit, prokurori i Shtetit njofton opinionin se ka urdhëruar policinë që të arrestojë edhe të dyshuarin – mjek të spitalit në Vushtrri, me iniciale I.Z., me dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, dhe posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të lëshohet vendimi për ndalim prej 48 orësh.Reklama
Po ashtu edhe për këtë të dyshuar do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së sigurisë.