Kryeministri Edi Rama ka thirrur këtë të martë në Tirane, në një takim përfaqësuesit e të gjitha partive shqiptare në Maqedoninëe Veriut.
Ali Ahmeti i BDI-së, Afrim Gashi i Alternativës, Menduh Thaçi i PDSH-së dhe Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët do të jenë të pranishëm në pritjen me Kryeministrin Edi Rama.
Tema për të cilën është organizuar ky takim janë zhvillimet politike në Shkup ku pritet të nisë diskutimi në Parlament për ndryshimet kushtetuese të diktuara nga ngërçi me Bullgarinë. Ndryshime që u vendosën si kusht nga Brukseli për hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut.
Lidhur me këtë takim, një ditë më parë për mediat maqedonase nënkryetari i Lëvizjes Besa, Fatmir Limani, deklaroi se Besa nuk do të shkojë në Tiranë.
Sipas tij, qëllimi i takimit të paraparë të liderëve të partive shqiptare në Tiranë është promovimi i Qeverisë së re të Dimitar Kovaçevskit, të zgjeruar me një partner tjetër koalicioni dhe shpëtimi i mandatit gati dyvjeçar.
“Nuk ulemi në të njëjtën tavolinë me Ahmetin”, u shpreh Limani.
Pas kësaj deklarate do të vinte reagimi i zëdhënësit të BDI-së Bujar Osmani, i cili është dhe ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut.
“Nuk ka nevojë për komplote, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është mik i Maqedonisë së Veriut, takimi në Tiranë është i Vitit të Ri.
Sipas informacioneve që kam, takimi në Tiranë është i Vitit të Ri dhe synon shkëmbimin e mendimeve për disa çështje aktuale në rajon, si dhe pritshmëritë për vitin e ri, i cili sjell më shumë sfida. Por takimi nuk ka një axhendë të paracaktuar, të saktë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është një mik i dëshmuar i Maqedonisë së Veriut dhe kujtojmë se e dëshmoi veçanërisht në negociatat me Bullgarinë, kur fjalë për fjalë, dikur duke u ekspozuar dhe në kurriz të interesave të Shqipërisë, mbrojti pozicionet maqedonase. Nuk ka nevojë të krijohet konspiracion për ato takime”, tha Osmani.
Më tej ai vlerësoi se disa parti kanë nevojë që për hir të interesave të ngushta partiake, të kalojnë të gjitha kufijtë në komentet e tyre, pa marrë parasysh interesat e shtetit.