Mënyra më e lehtë për ta parandaluar lotimin e syve gjatë prerjes së qepës


Qepët duken të padëmshme në pamje të parë, por ato janë perime që ia vështirësojnë punën çdokujt që gatuan me to.

Pas prerjes së parë, qepa arrin të transformohet në një “armë” të mirëfilltë falë së cilës lotët rrjedhin lumë.

A e dini përse qepa është kaq armiqësore?

Së pari kjo çështje duhet shtjelluar në aspektin botanik. Qepa bën pjesë në të njëjtën familje botanike me atë të preshit, hudhrës, qepukjave dhe qepëve të njoma. Këto barishte së bashku ndajnë të njëjta karakteristika dhe shije që është rezultat i ambientit ku ato rriten e lulëzojnë.

Intensiteti i shijes së këtyre perimeve vjen nga një sërë përbërësish të njohura si amino acidet sulfokside.

Ekspertët bujqësorë kanë arritur në konkluzionin se kufizimi i sasive të sulfurit që furnizon bimën mund të ndryshojë shijen e qepës në mënyrë drastike.

Qepa mund të konsiderohet e zgjuar sepse ajo krijon një mekanizëm mbrojtës që shmang barngrënësit dhe ‘maskon’ veten si një bimë jo aq e shijshme.

Nga ana tjetër, disa varietete të barishteve të qepujkave çlirojnë një aromë që të përngjan me lakrën.

Enzimat e qepës prodhojnë acidin sulfenik që shpërbëhet në një element që i jep perimes aromën e fortë dhe të spikatur dhe në një agjent të quajtur propanethial-S-oxide që stimulon sytë të prodhojnë lot.

Ky përbërës kimikat me një emër kaq të ngatërruar është arsyeja përse qepët na bëjnë të qajmë, pasi irriton gjëndrat e lotit si një gaz lotsjellës.

Por sekretet e qepës shkojnë përtej. Dy përbërësit që shkaktojnë lotët – sulfoksidet dhe enzimat – prodhohen dhe akumulohen ndarazi tek bima.

Ato bashkojnë fuqitë vetëm në momentin që një kafshë ngul dhëmbët ose një njeri ngul thikën në shtresat e jashtme të qepës.

Strategjia më e thjeshtë për t’u mbrojtur nga qepa është minimizimi i gazit lotsjellës që në prerjen e parë.

Qërimi dhe zhytja e qepës pa lëvore në ujë për disa minuta përpara prerjes pakëson irritimin që perimja shkakton. Po ashtu, ftohja e qepës përpara përdorimit është një tjetër mënyrë për t’i shpëtuar lotëve. Qepët e ngrira shkaktojnë më pak lot, ndonëse janë pak më të vështira për t’u prerë. /Agroweb/