Nis puna për largimin e barrikadës te “Shkëmbi i Dudës”

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar të martën se po zhvillon “operacione inxhinierike” në veri të Kosovës për të hequr disa automjete që ende po bllokojnë rrugët atje.

Radio Evropa e Lirë ka siguruar fotografi ku shihen se trupat e KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës janë mbledhur te vendi i njohur si Shkëmbi i Dudës, ku ende qëndrojnë disa kamionë që kanë bllokuar rrugën.

Kamionët në këtë lokacion në Mitrovicë të Veriut, janë djegur më 29 dhjetor.

Trupat e KFOR-it në përgatitje për largimin e barrikadave të mbetura në veri të Kosovës.
Trupat e KFOR-it në përgatitje për largimin e barrikadave të mbetura në veri të Kosovës.

Për 20 ditë me rradhë, në dhjetor të vitit 2022, në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, u vendosën barrikada në rrugët që qojnë drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi.

Barrikadat u vendosën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës, i cili, sipas autoriteteve të Kosovës, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Por, serbët vendosën të heqin barrikadat pasi Dejan Pantiqit iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak.

Po ashtu, përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, gjatë një takimi në Rashkë të Serbisë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 28 dhjetor deklaruan se kanë marrë garanci që kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.

Në njoftimin e KFOR-it në Twitter u tha se operacioni për largimin e automjeteve të bllokuara në rrugë po bëhet për të rikthyer lirinë e lëvizjes në atë zonë.