Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka bërë të ditur gjendjen aktuale të të hyrave të inkasuara në këtë institucion për periudhën janar-prill 2020, të cilat janë 141.9 milionë euro .
Në njoftimin e ATK-së thuhet se përkundër gjendjes emergjente shëndetësore në vend, janë duke u angazhuar në vazhdimësi në zhvillimin e aktiviteteve, në mënyrë që të realizojnë objektivat e parapara.
“Mirëpo, ndikimi i pandemisë COVID 19, po rezulton dukshëm me rënie të inkasimit të të hyrave sipas projeksioneve të planifikuara, pasi që me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, periudha për pagesa të detyrimeve tatimore dhe kontribute pensionale është zgjatur deri me 15 maj 2020, si dhe pagesa e kësteve tremujore është zgjatur deri me 30 qershor 2020”.
“Gjendja aktuale e të hyrave të inkasuara për periudhën janar-prill 2020 është 141.9 milion euro, që i bie se kemi rënie për 26.2% nëse e krahasojmë me planin. Ndërkaq, nëse i referohemi periudhës së njëjtë të viti 2019 jemi më pak për 28.1%”.
“Vlen të theksohen se ATK ka pas një performancë të shkëlqyer të të hyrave, ku për periudhën 01 janar deri me 17 mars 2020, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019 , kemi pasur rritje prej 11.2 % , si dhe për të njëjtën periudhë kemi pasur tejkalim të planit për 3.62%”, thuhet në njoftimin e ATK-së.