Pantiqi nga paraburgimi dërgohet në arrest shtëpiak


Ish-policit serb, Dejan Pantiq, që dyshohet për sulm ndaj Policisë së Kosovës dhe Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri, i është ndryshuar masa nga paraburgimi në arrest shtëpiak, ka konfirmuar për KOHËN Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale për zëvendësim të masës nga paraburgimi në arrest shtëpiak, gjykata ka aprovuar kërkesën dhe ia ka ndryshuar masën”, ka thënë Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Për lirimin e tij ka folur edhe i biri i Pantiqit, që “ia ka dhënë meritat” për këtë lirim, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pantiqi u arrestua në fillim të dhjetorit. Pas arrestimit të tij, serbë lokalë u barrikaduan duke mbyllur rrugët në veri të Kosovës, në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Numri i barrikadave ka shkuar në 13.

Pantiqi mbahej në një stacion policor afër Jarinjës, për shkak të barrikadave. Institucionet e Kosovës patën bërë kërkesë te ndërkombëtarët për të ndihmuar në transferimin e Pantiqit.

Masa e paraburgimit i ishte caktuar më 12 dhjetor. Atë kohë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e akuzonte Pantiqin për kryerje të veprave terroriste dhe sulm ndaj rendit kushtetues.