Sveçla: Kosova nuk është e interesuar për luftë – propagandë e dyshes Serbi-Rusi, ne po e luftojmë krimin e korrupsionin

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka quajtur të pavërteta deklarimet se Kosova ka ngritur gjendje gatishmërie për luftë. Sipas tij, ato janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi-Rusi.

Në një postim në Facebook, Sveçla ka shkruar se Kosova nuk ka qasje agresore e me aspirata pushtuese si Serbia.ReklamaVideo Player is loading.

Ai ka thënë se Kosova ka synim paqen e stabilitetin, ndërsa Serbia e ka destabilizimin dhe luftën.

“Është pikërisht Serbia e ndikuar nga Rusia ajo që ka ngritur gjendje gatishmërie ushtarake, po urdhëron ngritjen e barrikadave të reja, për të arsyetuar dhe mbrojtur grupet kriminale që terrorizojnë në veçanti qytetarët e etnisë serbe që jetojnë në Kosovë”, ka shkruar ai.

Ministri Sveçla tutje ka shtuar se Kosova nuk është e interesuar për luftë, por angazhohet për luftim të krimit dhe terrorizmit brenda shtetit.

“Kjo i pengon Serbisë sepse ndër vite ka mirëmbajtur në të gjitha format grupet kriminale në veri të vendit. Policia e Kosovës është duke zbatuar si kudo në Republikën e Kosovës mandatin e saj ligjor. Ka detyra të përditshme të tyre e jo gatishmëri për luftë. Kjo vlenë edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila kryen detyrat e saj të përditshme dhe as që bëhet fjalë për ngritje të gatishmërisë apo angazhim të rezervistëve”.

Ai ka potencuar se institucionet e Kosovës janë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë që kjo çështje të zgjidhet pa asnjë eskalim të mundshëm.

“Ky fakt dukshëm po i pengon Serbisë e cila po angazhohet maksimalisht që barrikadat të prodhojnë qoftë edhe viktima në njerëz dhe kjo dëshmohet nga sulmet e njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor, pjesëtarëve të EULEX e së fundmi edhe ndaj KFOR-it”.

Mes tjerash, Sveçla ka deklaruar se me barrikadat si mjet, Serbia po lufton sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit fqinj, Kosovës. Ndërkaq sipas tij, kjo e fundit është e interesuar të luftojë krimin dhe bandat kriminale.

“Kurdo që lufta kundër krimit po shpërfaq që ushtrimi legjitim i kompetencave në vendin tonë është në dobi të secilit qytetar pavarësisht etnisë, Serbia me në krye Vuçiçin, po tenton me çdo kusht të cenojë vlerat demokratike që shteti ynë ka promovuar dhe do të vazhdojë të mbrojë”.

“Andaj, ne nuk do të ndalemi drejt mbrojtjes së këtyre vlerave demokratike dhe të qënurit pranë të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, pavarësisht tendencave kërcënuese”. /Telegrafi/