Policia e Kosovës e ka konfirmuar vendosjen e dy barrikadave të reja në veri të vendit. Njëra prej barrikadave është vendosur në udhëkryqin te shkolla teknike, ndërsa tjetra është vendosur te vendi i quajtur Kershi i Dudes në Mitrovicë të Veriut.
Policia konfirmon se vendosja e barrikadave është bërë gjatë natës nga “grupe kriminale”.
“Në veri të vendit, gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë. Referuar informacioneve zyrtare janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda. Njëra prej barrikadave është vendosur në udhëkryqin te shkolla teknike, ndërsa tjetra është vendosur te vendi i quajtur Kërshi i Dudës”, thonë nga policia.
Barrikada e vendosur në Mitrovicë të Veriut gjendet tek udhëkryqi i Shkollës Teknike. Ky lokacion gjendet në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve, që është një vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.
Ndërkaq, barrikada e vendosur te Kërshi i Dudës pamundëson lëvizjen nga Mitrovica e Jugut në drejtim të Rudarës, Komuna e Zveçanit.
Barrikada në Lagjen e Boshnjakëve është e para e vendosur brenda ndonjë qyteti në veri, që kur disa serbë lokalë nisën bllokimin e rrugëve më 10 dhjetor. Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.