Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të reagojë dhe t’i heqë barrikadat në veri të vendit.
Krasniqi në një postim në Facebook ka thënë se me çdo minutë që po kalohet, po rrezikohet sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit.
“Prandaj, siç kam bërë gjatë gjithë kësaj kohe, disa herë, po e bëj këtë thirrje përsëri sonte, uroj për herë të fundit: Reagoni! Hiqini barrikadat! Çdo minutë që po kalon, po rrezikon sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Qytetarët kanë votuar për Qeveri që e qeverisë krejt Kosovën e jo vetëm deri te Ura e Ibrit. Andaj, mos u zmbrapsni se do të ju mbështesim të gjithë!” – ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se heqja e barrikadave është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës.
“Qeveria duhet të jetë vigjilente dhe të reagoj sa më shpejtë për të hequr barrikadat të cilat janë kthyer në punkte të Vuçiqit, si tentim për ndarjen e Kosovës. Për këtë, po e përsëris, Qeveria e ka mbështetjen time të plotë. KFOR-i ka bërë një punë të mirë deri më tani për të ruajtur paqen, për çka u jemi falënderues, mirëpo, heqja e barrikadave është para së gjithash përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës. Gjithsesi, në këto tri javë, dy gjëra janë të sigurta: E para, barrikadat i kanë vendosur grupet kriminale të orkestruara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me qëllim destabilizimin dhe nënshtrimin e Kosovës. E dyta, në inkurajimin e këtyre grupeve dhe krijimin e një realiteti të ri atje, po ndikon tej mase heshtja dhe mosveprimi i Qeverisë”, ka shkruar Krasniqi.