Kroacia ka treguar nivel të lartë të futbollit dhe e ka mbyllur këtë Kupë të Botës në vendin e tretë.
Kroatët të shtunën në stadiumin “Khalifa International”, e fituan 2:1 plejofin për medaljen e bronztë ndaj Marokut që shënoi histori në Botërorin e zhvilluar në Katar.
Të udhëhequrit e përzgjedhësit Zlatko Daliq ishin finalist para katër vjetësh në Francë, ndërsa janë konfirmuar prej shteteve elitare në futboll pas një vendi tjetër të tretë.
Sukses të ngjashëm, Kroacia kishte shënuar edhe në Botërorin debutues, në vitin 1998. Ndërsa, më 2018, doli e dyta pasi u mposht nga Franca në finale.
Në ndeshjen me fillim të jashtëzakonshëm, të parët që kaluan në avantazh ishin kroatët që përgatitën një skemë të shkëlqyer, e që u kurorëzua me gol të realizuar nga mbrojtësi Joshko Gvardiol në minutën e shtatë.
Por marokenët u kthyen në lojë dy minuta më pas me Achraf Darin, që shënoi me kokë po ashtu nga afërsia.
Megjithatë, Kroacia siguroi fitoren me golin e bukur të Mislav Orshiqit tre minuta pa përfunduar pjesa e parë.
Pjesa e dytë nuk e pati energjinë e 45 minutave të parë.
Maroku dështoi të realizonte dhe e mbyll Botërorin me dy humbje rresht.
Sidoqoftë, Maroku shkroi historinë pasi u bë shteti i parë afrikan që arriti deri në gjysmëfinale të një Kupe të Botës.