Policia e Kosovës ka njoftuar për gjendjen në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.
Mbrëmjen e së premtes është vendosur edhe një barrikadë e re në një lagje që çon për në Zveçan, ka thënë policia.
“Gjatë natës ka vazhduar vendosja edhe e një barrikade të re, në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative, e që po vështirëson edhe më tej jetën e qytetarëve në veri të vendit”.
Që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë, dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç dihet tani më për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupe kriminale. Policia ka bërë të ditur vazhdimisht se barrikadat po cenojnë lirinë e lëvizjes së lirë dhe hyrje-daljet në pikat kufitare për qytetarë dhe mallra.
Sindikata e PK-së të shtunën ka bërë thirrje që të bëhet ndërrimi i policëve pasi ka deklaruar se që tetë ditë të njëjtit policë janë bllokuar në veri dhe shëndeti i tyre po rrezikohet.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se Kosova i ka të gjitha kapacitetet për t’i hequr barrikadat, por se është duke u koordinuar me faktorin ndërkombëtar për reagim adekuat.