Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka pasur kritika ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Ai tha para deputetëve se me këtë qasje nuk duhet të mbështetet buxhetin për vitin 2023.
Sipas tij, është për keqardhje mënyra se si mendon pushteti ta çojë përpara këtë projektligj, “duke pasuar arrogancën e numrave, duke mos reflektuar asnjë herë në asnjë argument”.
Më pas, iu kundërpërgjigj kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Ai tha se mund të arrihen kompromise mes partive opozitare dhe LVV-së për këtë çështje.
“Mund të arrihen kompromise të mira për këtë buxhet me dashtë. Pse po nguteni bre? Kadal, kadal që ka thonë ai…”, u shpreh Konjufca me një buzëqeshje.
Megjithatë, deputeti i LDK-së i tha se është detyrë e tij t’i adresojë ‘anomalitë’ e projektligjit, e jo të merret me diskutimet e ligjvënësve.
“Ne kemi prezantuar një listë të gjatë të amendamenteve për ta adresuar disa prej anomalive në këtë projektligj. Kam shkuar në komision për t’i adresuar ato. Është detyrë e juaja për t’i çuar përpara ato e jo me i komentu diskutimet e deputetëve”, ia ktheu Hoti.