Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilët diskutuan për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hapat e mëtejmë, zhvillimet e fundit në vend dhe çështjet aktuale.
Në komunikatën e lëshuar nga zyra e Kryeministrit, thuhet se në takim kishte dakordim të përbashkët që duhet të hiqen barrikadat në veri të cilat pengojnë lirinë e lëvizjes.Reklama
Përmes gatishmërisë për takime dhe diskutim, Republika e Kosovës ka dëshmuar në vazhdimësi së është palë konstruktive që angazhohet për arritjen e një marrëveshje ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve të ndërsjella me Serbinë me njohjen reciproke në qendër, thuhet në komuniatë nga takimi.
Në takimin e Kurtit me Escobar dhe Lajçak, ishin të pranishëm edhe ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe Ambasadori i BE-së Toms Szunyog.
Ndërsa, pas takimit me Kurti, Escobar tha se tensionet në veri të Kosovës, plani franko-gjerman dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, kanë qenë ndër temat e diskutimit me Kurtin.
Ai tha se shpreson në një zgjidhje të shpejtë të krizës në veri.
“Duhet të fillojmë të flasim për zbatimin e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe], e kam bërë shumë të qartë këtë”, tha ai.
Në deklaratën për gazetarë, Lajçak ka thënë se preferon rrugën diplomatike për heqjen e barrikadave në veri, dhe jo përmes buldozerëve.
“Kam pasur diskutim të gjatë me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti. Nuk do t’i bëj publike detajet, sepse jam në mes të misionit dhe do ta vazhdoj vizitën nesër në Beograd. Do të takohem me komandantin e KFOR-it dhe atë të EULEX-it sonte, për të parë vlerësimin e tyre për situatën në terren, dhe më pas do të tentojmë të gjejmë zgjidhjet e mundshme, sepse kjo gjë nuk është e mirë. Unë nuk mendoj se kemi llogari që të presim për të ndodhur diçka e keqe. Tensionet nuk i ndihmojnë askujt, dhe nuk mendoj që ndonjë njeri normal është i lumtur me këtë situatë në veri”, tha ai.
Escobari dhe Lajçaku do ta takojnë nesër edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thuhet në njoftimin e presidencës serbe.
Më 12 dhjetor, kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se i ka kërkuar Lajçakut që të vizitojë rajonin e Ballkanit me qëllim të ofrimit të ndihmës për ulje të tensioneve në veri.
Kurti është takuar me Escobarin edhe një ditë më parë, dhe sipas Zyrës së kryeministrit, palët kanë biseduar për nevojën e heqjes së menjëhershme të barrikadave në veri.
Më të dërguarin amerikan është takuar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si dhe liderët e partive opozitare në Kosovë.