Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe Beograd kanë reaguar lidhur me situatën në veri.
Në deklaratën e përbashkët, bëhet thirrje që të hiqen barrikadat e vendosura në ato zona.
Tutje, në deklaratë thuhet se arrestimi i një të dyshuari për plagosjen e një polici kosovar po përdoret si justifikim për situatën e krijuar atje.
“Ata që i ngritën barrikadat e paligjshme duhet t’i largojnë ato menjëherë”.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin shqetësimin e thelë për situatën aktuale në veriun e Kosovës. Arrestimi i një individi të dyshuar për sulm ndaj autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor, po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale”, thuhet në reagimin e Ambasadave të SHBA-së në Prishtinë e Beograd.
“Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. Ne shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë të plotë për NATO-n në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”, thuhet tutje në deklarim.
Ambasadat e Shteteve të Bashkuara në Kosovë e Serbi i ftojnë palët për të marrë masa në de-përshkallëzimin e situatës në veri.
”I bëjmë thirrje të gjithëve që të kenë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të arritur de-përshkallëzimin e situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese. Ne i nxisim palët të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet shqetësuese”.