Lionel Messi përballet me Virgil van Dijkun. Trajneri më i ri në Kupën e Botës përballet me trajnerin më të vjetër. Amerika e Jugut përballë Evropës. Po ashtu është edhe një listë e përballjeve të famshme midis këtyre dy përfaqësueseve.
Ndeshja çerekfinale mes Argjentinës dhe Holandës luhet të premten prej orës 20:00. Sfida i ka të gjithë përbërësit e një dueli klasik. Dhe mundësia që ajo të jetë ndeshja e fundit e Messit në skenën më të madhe të futbollit vetëm sa i shton emocionet dhe pritjet.
Shtatë herë lojtari i vitit në botë është vetëm tri fitore larg arritjes së ëndrrës më të madhe. Por ai ka dy njerëz në veçanti që i bllokojnë rrugën. Së pari e ka Van Dijkun, i cili ka qenë një nga mbrojtësit më të mirë në botë gjatë pesë vjetëve të fundit. Nëse ka dikush që mund ta ndalojë Messin nga driblimet e tij të njohura është qendërmbrojtësi i Liverpoolit që kombinon ritmin me një lexim të shkëlqyer të lojës. Dhe më pas është Louis van Gaal, dinaku taktik që është 71-vjeçar dhe kohët e fundit i është nënshtruar një trajtimi të suksesshëm për kancerin e prostatës. Van Gaal tani po planifikon ta fitojë Kupën e Botës në ndoshta angazhimin e fundit në karrierën e gjatë si trajner.
Van Gaal, i cili ka qenë prej kohësh një nga personazhet më karizmatikë në futboll, po i afrohet kësaj ndeshjeje, që është njëra prej më të mëdhave në karrierën e tij, me shumë argëtim. Të enjten atij iu tha se Angel Di Maria, i cili luan për Argjentinën, mendon se është trajneri më i keq për të cilin ka luajtur ndonjëherë. Van Gaal e Di Maria ishin së bashku te Manchester Unitedi në edicionin 2014/15. Ai tha se ishte për të ardhur keq që Di Maria u ndje në këtë mënyrë, duke shtuar se argjentinasi “është një nga lojtarët e paktë që e ka thënë këtë”. Van Gaal u pyet gjithashtu se si po planifikonte ta ndalonte Messin – një pyetje për të cilën shumë trajnerë gjatë viteve nuk kanë arritur të japin përgjigje.
“Do të ishte shumë marrëzi të zbulonit taktikat tuaja”, tha holandezi duke qeshur.
Sa i përket homologut të tij argjentinas, 44-vjeçari Lionel Scaloni është fillestar. Mori drejtimin e Argjentinës në vitin 2018 për rolin e tij të parë si trajner. Megjithatë ai e ka udhëhequr tashmë Argjentinën drejt suksesit në Kupë të Amerikës vitin e kaluar – trofeu i parë i madh i vendit që nga viti 1993 – dhe ka arritur të mbajë në Botëror skuadrën pas një humbjeje tronditëse nga Arabia Saudite në ndeshjen e parë të grupit.
Ndërsa Van Gaal po parashikonte një ndeshje të vështirë që do të zgjidhet nga një “moment vendimtar”, Scaloni tha se do të jetë një “lojë e bukur sepse po flasim për dy ekipe të gatshme për të sulmuar, por që mund të mbrohen”.
“Do të japim gjithçka për këtë fanellë, në mënyrë që ta përfaqësojmë vendin tonë ashtu siç duhet. Kur ndeshja të përfundojë me të vërtetë shpresoj se do të jem i kënaqur dhe i lumtur me rezultatin. Do të jetë një ndeshje fantastike e dy ekipeve të mëdha”, pranoi Scaloni. Ai zbuloi së tashmë kanë stërvitur edhe penalltitë dhe janë të gatshëm nëse fituesi do të përcaktohet prej tyre.
“Kemi stërvitur penalltitë dhe jemi të gatshëm edhe në këtë aspekt. Ka të bëjë me fatin kur arrini në penallti. Shpresoj që të mos arrijmë deri te penalltitë dhe ta fitojmë ndeshjen para tyre. Futbolli ndonjëherë mund të jetë shumë i bukur dhe ndonjëherë mund të jetë mizor”.
Në të vërtetë ndeshja do të jetë një përplasje stilesh midis dy prej fuqive historike të futbollit. Argjentina, dy herë kampione e botës, preferon të luajë një lojë posedimi. Holanda ka tri finale të humbura dhe tani zakonisht luan në kundërsulm nën drejtimin e Van Gaalit. Këto dy përfaqësuese janë takuar në disa ndeshje të profilit të lartë të Kupës së Botës, por asnjëra nuk ishte më e madhe se finalja e vitit 1978 e fituar nga Argjentina në shtëpinë e saj. Kishte gjithashtu një ndeshje në 1/8 e finales në vitin 1998, e fituar nga Holanda falë një goli të mrekullueshëm në minutën e 90-të nga Dennis Bergkamp. Dhe më pas një fitore me penallti nga Argjentina në gjysmëfinalen e vitit 2014.
Messi luajti në atë lojë dhe u mbajt relativisht i qetë nga një skuadër e drejtuar gjithashtu nga Van Gaal. Tetë vjet më vonë, Messi është ende ylli i Argjentinës dhe ka bërë paraqitjen e tij më të mirë në këtë Botëror në fitoren 2:1 ndaj Australisë në 1/8 e finales.
“Turneu fillon ndaj Argjentinës për ne, realisht. Megjithëse nuk dua të minimizoj rëndësinë e përfaqësueseve të tjera që kemi mundur, Argjentina dhe më pas Brazili në rundin tjetër janë ekipe të ndryshme nga ato që kemi luajtur deri tani”, pranoi Van Gaal.
Tek Argjentina në dyshim për këtë ndeshje është mesfushori Rodrigo De Paul, pyetje në të cilën trajneri Scaloni reagoi me nervozizëm. Krahas De Paulit, ai u pyet edhe për gjendjen e Di Marias.
“Të mërkurën ne u stërvitem më dyer të mbyllura dhe nuk e di nga vjen kjo informatë. Ata janë mirë”, u shpreh Scaloni.
Në katër ndeshje të luajtura deri më tani në Botëror, Holanda ka tri fitore dhe një barazim, ndërsa Argjentina pas humbjes befasuese nga Arabia Suadite në duelin e parë ka regjistruar tri fitore rresht. Fituesi i këtij dueli do të përballet me fituesin e duelit mes Kroacisë dhe Brazilit, që po ashtu luhet të premten.