Janë pezulluar nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore pas informacionit se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, ka bërë të ditur të enjten Ministria e Drejtësisë,
Sipas njoftimit, pezullimi është bërë me vendim të Komisionit Disiplinor të Institutit për Mjekësi Ligjore.
“Pas pranimit të informacionit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisioni Disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore/ Ministria e Drejtësisë, mori vendim për pezullim nga puna të zyrtarëve: Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore Ilirjana Shala, Kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore. Vendimi ka hyrë në fuqi me 8.12.2022”, ka bërë të ditur ministria.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se të mërkurën në mbrëmje kanë kuptuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë. Në një konferencë të jashtëzakonshme për media të mbajtur të enjten, ajo ka thënë se tre persona kanë pasur qasje në laborator. Nuk dihet saktë se kur mund të jenë marrë mbi 10 mostra nga laboratori.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa aktivistë të tjerë.
Teksa Prokuroria atë kohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.