Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Konferencën e 7-të të Mjedrës në Kosovë “Mjedra – Iniciativat e reja për ndryshimet klimatike”.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, ai tha se këtë vit është dhënë mbështetja më të madhe ndonjëherë për bujqit dhe për fermerët dhe se kësaj mbështetjeje më të lartë ndonjëherë vitin tjetër po ia shtojnë edhe buxhetin më të lartë për bujqësi si asnjëherë më parë.
“Gjatë këtij viti kemi dhënë mbështetjen më të madhe ndonjëherë për bujqit dhe për fermerët. Krahas mbështetjes prej 70 milionë euro, subvencionimit të kulturave të shumta bujqësore, në mesin e tyre edhe të mjedrës – për 25% më shumë se sa në vitin pararendës, këtë vit kishim ndarë edhe 3.5 milionë euro për zhvillimin dhe promovimin e Turizmit Rural dhe të Agro-Turizmit. Ndërkaq, sipas planifikimeve të buxhetit për vitin 2023 që tashmë ka kaluar në lexim të parë, buxheti për bujqësi parashihet të jetë 87 milionë euro, ndërkaq kur të përfshijmë edhe mbështetjen nga fondet e jashtme, ai pritet që për herë të parë në Kosovë ta kalojë shumën prej 100 milionë euro”, u shpreh Kurti.
Konferencat si kjo e sotmja, siç tha ai, bashkojnë akterë të ndryshëm, të ekzekutivit, të akademisë, të fermerëve dhe na mundësojnë që t’i adresojmë sa më saktë nevojat e shoqërisë dhe sfidat e prodhuesve tanë.
Në 8 vitet e fundit, pra nga viti 2014 deri më 2022, Kosova ka prodhuar afër 29 mijë tonë mjedër, në vlerë prej 65 milionë euro, pothuajse e tëra për eksport për në vendet e BE-së, ndërkaq që vetëm këtë vit u prodhuan rreth 2,600 tonë mjedër me një vlerë të eksportit prej mbi 11 milionë euro apo saktësisht 11 milionë e 50 euro.
Duke theksuar se rasti i mjedrave është një nga shembujt e potencialit tonë eksportues, kryeministri tha se nuk ka dyshim që vendi ynë po bëhet vend i orientuar për nga eksporti.
Në fund, kryeministri shtoi se Qeveria është e përkushtuar që të mbështesë dhe zbatojë standardet më të mira të mundshme në përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit, krijimin e vendeve të punës e kushte më të mira të punës, rritjes së eksportit, sigurimin e ushqimit të bollshëm e të sigurt dhe përmirësimin e gjallërimin e peizazhit agro-rural.