Maroku ka shkruar histori të martën mbrëma në Kupën e Botës. Maroku për herë të parë është kualifikuar në çerekfinale. Në një të tetën e finales e ka eliminuar Spanjën, një prej favoriteve të Botërorit në Katar.
Ndeshja është vendosur me penallti, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet nuk dhanë gola.
Achraf Hakimi me goditje “panenka” shënoi penalltinë vendimtare. Por ishte portieri Yassine Bounou, që ishte hero i Marokut. Ai ndali dy penallti.
Maroku fitoi 3:0 në penallti.
Abdelhamid Sabiri, Hakim Ziyech dhe Hakimi realizuan, ndërsa në serinë e tretë Badr Benoun nuk realizoi. Goditjen e tij e ndali portieri i Spanjës, Unai Simon.
Spanja nuk realizoi asnjë penallti. Pablo Sarabia goditi shtyllën, kurse goditjet e Solerit dhe Sergio Busquetsit i ndali portieri i Marokut.
Sa i takon ndeshjes, Spanja ka dominuar në posedim të topit, por pa krijuar shumë raste për gol. Maroku ka provuar përmes kundërsulmeve dhe ka rrezikuar disa herë seriozisht. Marokenët kanë shpresuar që ndeshja të vendoset me penallti dhe përmes tyre siguruan suksesin historik.