Të hënën, më 5 dhjetor ndërroi jetë në moshën 41 vjeçare drejtori menaxhues i Telegrafit, Arlindi Gjikolli – Gjikla.
Ceremonia e varrimit do të mbahet sot, e martë në orën 15:00 në varrezat e qytetit të Pejës. Funerali niset nga shtëpia e të ndjerit, rruga “Mbretëresha Teutë”, numër 89.
Gjikla, siç e quanin të gjithë të afërmit dhe miqtë, ishte themeluesi dhe shtylla krijuese e grupit WNC nga Peja, që zhanrin e muzikës rep në Kosovë e çoi në një stad më të zhvilluar, qoftë me tekste të angazhuara, me muzikë apo me interpretim.
“Çka kom pasë”, “Qikat e mira”, “Për ty” … janë disa nga këngët e këtij grupi, që edhe sot dëgjohen dhe frymëzojnë gjeneratat e reja.
Pas grupit WNC, Gjikla ka vazhduar edhe solo-karrierën, me tekste që kundërshtonin anomalitë e shoqërisë së Kosovës. Mjafton të përmendet këtu kënga “Juda”, që godet amoralitetin në politikë, tjetërsimin e individit dhe humbjen e perspektivës dhe të shpresës.
Ata që patën fatin ta njohin do ta kujtojnë përherë si një njeri të mirë, të buzëqeshur, të afërt, të dijshëm dhe mbi të gjitha si njeri të sakrificave, tek i cili secili mund të llogariste për këshilla dhe për ndihmë.
Largimi nga kjo botë i njeriut të vlerave, është humbje e madhe jo vetëm për familjarët dhe për miqtë.
Në dhjetë vjetët e fundit, Gjikla ishte COO (Drejtor Menaxhues) i Telegrafit. Si person që jetonte me kohën dhe që donte përparimin, ai dha kontribut të madh në zhvillimin dhe rritjen e këtij portali. Gjikla ka qenë një nga shtyllat e risive teknologjike që Telegrafi çdo vjet ka sjell për lexuesit shqiptarë. Kolegët e tij do ta përjetojnë rëndë mungesën e tij, sepse ishte i afërt me të gjithë, nxiste debate dhe krijonte atmosferë pozitive pune. Ishte i barabartë mes të barabartëve; njeri i sinqertë që donte të vërtetën, ndaj kjo reflektohej edhe në punën e gjithë stafit.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka ngushëlluar familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe komunitetin artistik për ndarjen nga jeta të drejtorit menaxhues të Telegrafit dhe artistit Arlind Gjikolli – Gjikla.
“Arlind Gjikolli – Gjikla, një nga pionierët e muzikës rap në Kosovën e pasluftës, anëtar i grupit WNC që revolucionarizoi skenën e muzikës me hymnet që nga sot do të jehojnë në përjetësi. Kontributi i tij në rap skenen e Kosovës dhe të Pejës ka qenë dhe do të mbetet me peshë”.
“Arlindi ishte edhe një vizionar i rrallë në industrinë e mediave dhe marketingut, por mbi të gjitha një bashkëqytetar model të cilit vendi ynë do t’ia ndjej shumë mungesën”, ka shkruar Çeku në mesazhin e tij ngushëllues.
Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka ngushëlluar për vdekjen e drejtorit menaxhues të Telegrafit dhe artisti Arlind Gjikolli – Gjikla
Në një shkrim në Twitter, Krasniqi ka thënë se gjithmonë do të ruajë kujtime për të.
“Prehu ne paqe Gjikla. Gjithmonë do të ruaj kujtimet më të mira për ty. Ngushëllime familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të Arlindit”, shkroi Krasniqi.
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllime për vdekjen e hershme të drejtorit menaxhues të Telegrafit dhe artistit Arlind Gjikolli – Gjikla.
“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e hershme të artistit dhe një njeriu me vlera të larta, Arlind Gjikolli – Gjikla”.Reklama
“Me këtë rast, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Gjikolli, miqve, kolegëve të tij, dhe gjithë komunitetit artistik!”, ka ngushëlluar Haradinaj përmes një shënimi në Facebook.
Edhe shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, ka shprehur ngushëllime pas vdekjes së Arlind Gjikollit i njohur si Gjikla.
“Ikja shumë e hershme dhe e shpejtë për në amshim e Gjiklës lë pikëllimin dhe zbrazësinë pas të njeriut me shpirtin artistik dhe optimizmin e pashuar për jetë më të mirë”, ka shkruar Kusari në Facebook.
Ajo tha se me buzëqeshjen dhe humorin e përhershëm, Gjikla la gjurmë në jetën e secilit që e takoi ai personalisht apo vepra e tij!./Telegrafi/