Harrohet ngritja e pagës minimale

Projektligji për Pagën minimale, miratimin e të cilit Ekzekutivi e pati kualifikuar si urgjencë, ka gjashtë muaj që po qëndron në sirtarët e Kuvendit dhe nuk po shqyrtohet në Komisione. Për prolongimin e procesit, përfaqësues të partisë në pushtet kanë dhënë si arsye synimin për të arritjen e një konsensusi më të gjerë. E subjektet në opozita, me gjithë kritikat e shumta që patën shprehur, ende nuk kanë propozuar amendamente për ndryshimin e përmbajtjes së tij

Kanë kaluar pothuajse gjashtë muaj qëkur Kuvendi i ka dhënë miratimin në parim projektligjit për Pagën Minimale, porse shqyrtimi i tij në lexim të dytë ende nuk ka nisur.

Rritja e pagës minimale, që nga pushteti kualifikohej si urgjencë, nuk është trajtuar në asnjë Komision Parlamentar që nga 14 qershori. Paga minimale është paraparë të ngrihet nga 170 euro në 250.

Në Lëvizjen Vetëvendosje, subjekt ky në pushtet, vonesën e kanë justifikuar me pritjen për një konsensus më të gjerë, me qëllim të shmangies së pakënaqësive nga koha e miratimit të Projektligjit në parim.

“Lidhet vonesa me një konsensus që ne kërkojmë ta arrijmë me veteranët e luftës e që shpresoj që kjo do të vijë shumë shpejt në diskutim dhe në sjelljen e ligjit në lexim të dytë, sepse është në interes të përgjithshëm”, ka thënë anëtari i VV-së në Komisionin për Buxhet, Visar Korenica.

Drafti i ligjit të sponsorizuar nga Qeveria e ka shkëputur rritjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve të luftës, të paraplegjikëve, tetraplegjikëve dhe të personave të verbër.

Miratimin e tij në parim, opozita e pati kundërshtuar në forma të ndryshme në seancë, por për trajtimin e mëtejshëm, nuk ka dorëzuar asnjë amendament për ndryshimin e përmbajtjes.

“Kemi parë se nuk po merren parasysh në aspektin përmbajtjesor dhe numerik të votave. Kemi parë që vetëm të kundërshtojmë votimin e ligjit për pagën minimale për arsye se e kemi parë se kemi hasur në vesh të shurdhër jo vetëm ne, por të gjitha ato kategori që janë prekur nga ligji për pagën minimale”, ka thënë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

E deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka paralajmëruar se subjekti i tij do të dorëzojë amendamente kundër disa pikave të Projektligjit për të cilat ka mospajtim.

“Sa i përket ligjit për pagën minimale, nuk janë të përfshirë kategoritë e ndryshme sociale, siç janë paraplegjikët, tetraplegjikët dhe të verbrit. Nuk e kanë bërë infrastrukturën ligjore dhe nuk e kanë lidhur pensionin e tyre dhe mbesin jashtë skemës. Ne do të bëjmë amendamentim gjithsesi, që edhe kjo kategori të përshihet po ashtu edhe veteranët e luftës”, ka thënë ai.

Miratimi në parim i këtij projektligji pati nxitur reagime të shumta, veçmas nga shoqatat e dala nga lufta. Përfaqësues të tyre patën zhvilluar protesta para ndërtesës së Kuvendit.