Kryeministri Albin Kurti e ka mirëpritur vendimin e ambasadorëve të Bashkimit Evropian që t’i japin Kosovës dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave, porse meritat kryesore për këtë ai i ka lënë qeverisjes së tij.
Kurti thekson se kriteret teknike ishin plotësuar tash e një kohë të gjatë, por kërkesat e ndërkombëtarëve, sipas tij, ishin sundimi i ligjit, luftimi i krimit dhe korrupsionit, si dhe respektimi i institucioneve të pavarura. Kreu i ekzekutivit thotë se këto nuk u përmbushën dot nga qeverisjet e kaluara, por nga qeverisja që e udhëheq nga fillimi i vitit 2021.
“Mirëpresim vendimin e rëndësishëm por edhe të vonuar të shteteve anëtare të BE-së për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky vendim është njohje dhe konfirmim i përkushtimit tonë për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrollit kufitar dhe menaxhimin e migrimit”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Kriteret teknike vërtetë ishin plotësuar tash e një kohë të gjatë, për çka i jemi mirënjohës administratës shtetërore. Por ishin kërkesat për sundim të ligjit, luftim të krimit dhe korrupsionit dhe respektim të institucioneve të pavarura që nuk përmbusheshin dot. Pengesë ishte edhe imazhi jo i mirë i vendit, për shkak të aferave korruptive, kulturës së mosndëshkueshmërisë dhe migrimit masiv e ilegal drejt vendeve të zonës Schengen”, shtoi Kurti.
Në fund, Kurti ka thënë se pret që ky proces të finalizohet sa më shpejt.
Postim të ngjashëm sikur vartësi i tij pati edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Shkroi se e kanë trajtuar burimin e problemit të vendeve skeptike.
“Ka qenë një proces i gjatë i takimeve konsultative me vendet skeptike, ku kemi marrë burimin e problemit. E kemi trajtuar atë dhe theksuar se vendi ynë gjatë vitit të fundit ka shënuar progres madhor në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe menaxhimin e migrimit. Puna, përkushtimi dhe angazhimi në këtë proces, u riafirmua sot dhe nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, ka shkruar ndër të tjera Bislimi.
Ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së janë pajtuar të mërkurën për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. Presidenca Çeke e BE-së tani do t’i nisë negociatat me Parlamentin Evropian dhe Komisionin Evropian si hapin e fundit para udhëtimit pa viza.
Vendimi ua mundëson qytetarëve me pasaporta të Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt BE-së për 90 ditë në periudhë gjashtëmuajshe. Nën kushtet aktuale, liberalizimi i vizave do të nisë në datën e hapjes së sistemit ETIAS dhe në asnjë rast më larg se 1 janari 2024.