Rama: Adem Jashari lindi në Ditën e Flamurit dhe vdiq për të jetuar përgjithmonë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë një urim të veçantë më 28 nëntor, kur shënohet edhe Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Dita e Flamurit.

Rama në urimin e tij të hënën e ka kujtuar figurën emblematike të heroit kombëtar, Adem Jashari.

Kryeministri shqiptar mes tjerash ka shkruar se historia e vdekjes që i dha përjetësinë atij e trungut të prerë të familjes Jashari, i tejkalon kufijtë e të besueshmes dhe i ngjan më shumë një versioni të legjendës së Gjergj Elez Alisë.

Kryeministri Rama ka theksuar po ashtu se, Adem Jashari lindi në 28 nëntor dhe vdiq për të jetuar përgjithmonë, si legjenda e gjallë e flamurit më të bukur në botë.

“Sikur ajo shtëpi e sharruar nga zjarri armik të mos ishte ende aty, sikur familjarët e vrarë të Adem Jasharit të mos ishin banorë të asaj shtëpie, që figurojnë një më një, në gjendjen civile të komunës Prekaz dhe sikur vetë Adem Jashari të mos ishte një njeri i gjallë deri në 7 marsin e vitit 1998, i cili figuron edhe si klient në regjistrin e hotelit ‘Arbëria’ në Tiranë, do të ishte realisht e pamundur t’i besohej vërtetësisë së historisë mitike të komandantit legjendar të luftës së Kosovës. Madje edhe vetë Besarta, shtojzovallja e mbijetuar e asaj masakre të pabesueshme, do të dukej si rrëfimtarja e përhumbur e një përralle, nëse familja Jashari nuk do të kishte qenë aty, mes një komuniteti të tërë shqiptarësh të zakonshëm prej të cilit u nda, e gjitha, menjëherë, në terrin mes dy ditëve të zakonshme mbi pllajën baritore të Prekazit”, ka shkruar Rama.