Konjufca në mbledhjen e përbashkët të Kuvendeve: Serbia ka qëllim ndarjen e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë mbledhjes së përbashkët të dy kuvendeve Kosovë – Shqipëri, ka folur edhe për “qëllimin e Serbisë për destabilizim”.

Ai tha se Serbia po e lufton Kosovën “nga brenda dhe nga jashtë, pa zgjedhur mjete”.

“Pa dyshim se është arritur shumëçka e rëndësishmë për kombin tonë, por rruga ishte e gjatë dhe aspak e lehtë. Dy ngjarje të rëndësishme e kanë hapur kapitullin e mundësive të mëdha për kombin tonë. Së pari ishte ardhja e demokracisë në Shqipërisë, e 9 vite pas kësaj ndodhi çlirimi i Kosovës nga pushtuesi i Kosovës. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në BE, kurse Kosova e aspiron NATO-n dhe anëtarësimin në familjen e vlerave evropiane. Orientimi ynë gjeostrategjik kombëtar është i parezervë drejt BE-së, brenda NATO-s dhe në miqësi të thellë dhe të përhershme me SHBA-në. Por përvoja na ka mësuar neve shqiptarëve që po aq sa kemi nevojë të festojmë, në të njëjtën kohë po aq duhet të reflektojmë në sfidat që kemi përpara dhe pengesat që duhet t’i kapëcejmë”. 

“Bota sot është më e pasigurt se dje  për shkak të sulmit të Rusisë mbi Ukrainën, e cila e synon NATO-n dhe BE-në. I vetmi shtet në mes të Evropës që mbetet i lidhur me Rusinë është Serbia. Serbia nuk e fsheh aspak qëllimin e saj, që është destabilizimi i Kosovës dhe ndarja faktike e shtetit tonë, Serbia na lufton nga brenda dhe jashtë, pa zgjedhur mjete, prej diplomacisë deri te financimi dhe kontrollimi i grupeve që janë të lidhura me krimin brenda vendit tonë. Sa më afër njëra-tjetrës Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë. Ne do të mund të shënojmë arritje të radhës si komb, vetëm nëse e kombinojmë mençurinë e Ukshin Hotit, atdhedashurinë e Adem Demaçit, maturinë e Fehmi Aganit, përgatitjen e Gazmend Zajmit dhe mendjemprehtësinë e Arbën Xhaferit”, tha ai.

Fjala e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, në mbledhjen e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë:

Të dashur deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë e të Republikës së Kosovës,
E nderuar Kryetare e Kuvendit shqiptar, Lindita Nikolla,
I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama,
I dashur Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti,
I nderuar kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi,
Kryetarë të Grupeve Parlamentare të Kuvendeve tona,
Të dashur ministra të qeverive tona,
Të nderuar kryetarë të komunave,
Abasadorë,
Mysafirë të nderuar,
Zonja e zotërinj,

Na ka bërë tok në Tiranë dita më e rëndësishme e kombit tonë – 28 Nëntori.

Le t’i përshëndesim së bashku e ngrohtësisht nga këtu të gjithë shqiptarët në Kosovë e në Shqipëri, në Maqedoni të Veriut e në Mal të Zi, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në Greqi e në Itali, në Gjermani e në Zvicër, në ShBA e çdokund ku ata jetojnë. Ne jemi këtu e ju jeni me ne, e ne ju kemi në zemër.

Urime Dita e Flamurit!

28 Nëntori i mban në gjirin e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive, por edhe aspiratat e përbashkëta, mundin e përpjekjen e gjatë për liri si dhe dashurinë e madhe për kombin tonë.

Kjo ditë e ka krejt simbolikën e vet të nevojshme për të na i mbajtur gjallë emocionet më të thella, krenarinë më të lartë, gatishmërinë më të vendosur dhe kujtimet tona më të çmuara.

Një fill i vetëm, i qartë e i fortë, e përshkon historinë tonë të lavdishme, prej kthimit të Skënderbeut në Krujë e përmes shpalljes së pavarësisë shqiptare në Vlorë deri te lufta e UÇK-së.

28 Nëntori është i Shqipërisë po aq sa është i Kosovës, meqë është i të gjithë shqiptarëve.
Historia jonë kombëtare është sikurse një substancë e vetëdijshme e cila shpaloset përmes 28 Nëntorit.

Pikërisht në këtë ditë lindi heroi i madh i Kosovës e i shqiptarisë, Adem Jashari, i cili duke luftuar për komb e atdhe së bashku me Hamzën e bacën Shaban, u sakrifikua me familjarë e bashkëfshatarë në Prekazin legjendar.

Kjo rënie heroike i dha hov epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila u shfaq në Drenicë më 28 nëntor.

Lufta e lavdishme çlirimtare e popullit tonë e largoi okupatorin serb nga Kosova dhe kjo i hapi rrugë shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ashtu sikurse një shekull më parë Lidhja e Prizrenit i hapi rrugë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Hasan Prishtina e Shaban Polluzha, Jusuf e Bardhosh Gervalla e Kadri Zeka, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Zahir Pajaziti e Fehmi Lladrovci, e të gjithë dëshmorët tanë, luftuan e ranë për lirinë e kombit shqiptar meqë në zemër e kishin 28 nëntorin.

Atëherë kur ishim të shtypur e jetonim nën terrorin jugosllav, atëherë kur ecnim nëpër tehun e hollë të ekzistencës, popullin tonë të pamposhtur e mbajti gjallë lidhja e fuqishme me 28 nëntorin, dashuria e madhe për kombin, për tokën dhe gjuhën tonë shqipe.

Pa dyshim që është arritur shumëçka e rëndësishme për kombin tonë deri sot. Por rruga ishte shumë e gjatë dhe aspak e lehtë.

Dy ngjarje të rëndësishme e kanë hapur kapitullin e mundësive të mëdha për kombin tonë. Së pari ishte ardhja e demokracisë në Shqipëri, kurse 9 vite pas kësaj ndodhi çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb.

Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në BE. Kurse Kosova e aspiron NATO-n dhe anëtarësimin në familjen e vlerave evropiane.

Orientimi ynë gjeostrategjik kombëtar është i parezervë drejt BE-së, brenda NATO-s dhe në miqësi të thellë e të përhershme me ShBAtë.

Por përvoja na ka mësuar ne shqiptarëve që po aq sa festojmë, në të njëjtën kohë po aq duhet të reflektojmë për sfidat që i kemi përpara dhe pengesat të cilat duhet t’i kapërcejmë.

Bota sot është më e pasigurt se dje për shkak të sulmit të Rusisë mbi Ukrainën e cila e synon NATO-n dhe BE-në. I vetmi shtet në mes të Evvropës që mbetet i lidhur me Rusinë sot është Serbia. Serbia nuk e fsheh aspak qëllimin e saj – destabilizimin e Kosovës dhe ndarjen faktike të shtetit tonë. Serbia na lufton brenda dhe jashtë, pa zgjedhur mjete, prej diplomacisë e deri te financimi dhe kontrollimi i grupeve kriminale brenda vendit tonë.

Sa më afër njëra tjetërës Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë.

Ne do të mund të shënojmë arritje të radhës si komb vetëm nëse e kombinojmë mençurinë e Ukshin Hotit, atdhedashurinë e Adem Demaçit, maturinë e Fehmi Aganit, përgatitjen e Gazmend Zajmit dhe mendjemprehtësinë e Arbën Xhaferit.

Vazhdimisht duhet t’i lexojmë ata. Mendimi i tyre politik është shumë i vlefshëm për orientimin tonë në rrethanat e reja.

Sami Frashëri, ideologu i Rilindjes sonë Kombëtare te “Shqipëria ç‘ka qenë, ç’është e çdo të bëhet“, thoshte se përkatësia më e fuqishme është ajo kombëtare. Ai e përdorte një fjalë të bukur shqipe e cila nuk përdoret më – kombëria.

Është pikërisht ky identitet i fuqishëm që na bën të jemi një. Kjo na mban të sigurt, na shtyn të ngrihemi më lart, të mësojmë nga rruga e kaluar dhe të zhvillohemi tutje.

Rroftë Dita e Flamurit!
Rroftë kombi shqiptar!