Vjosa Osmani e Albin Kurti na lanë pa viza në vitin 2016, po na lënë edhe tani


Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka fajësuar presidenten Vjosa Omani dhe kryeministrin Albin Kurti, për mosliberalizimin e vizave për Kosovën në vitin 2016.

Mustafa ka thënë se atëherë i kanë lutur nga Bashkimi Evropian, e madje edhe Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, që të ratifikojnë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

“Tash edhe Presidentja Osmani, edhe Kryeministri Kurti edhe do të tjerë, na kanë lanë pa viza në vitin 2016. Këta janë ata që e patën krijuar situatën që ne të mos ecim me viza, sepse atëherë na lutshin të gjithë nga Bashkimi Evropian, ratifikojeni marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe Presidenti i tanishëm Biden kishte ardhur në atë kohë, t’na luteshin ne që ta bëjmë atë punë sepse është interes i NATO’s dhe interes i stabilitetit botëror, që ne ta kemi Malin e Zi në NATO dhe këta e dëgjojshin Shpejtim Bulliqin, organizojshin me Bulliqin dhe jo Shtetet e Bashkuara, jo miqtë të cilët këta po thirren tani dhe këta na lanë pa viza atëherë”, ka deklaruar Mustafa në një intervistë për ATV.

Sipas tij, Kurti e Osmani po i lënë qytetarët pa viza edhe tani.

“Këta po na lënë pa viza edhe tani, sepse tani ky proces po lidhet me dialogun me Serbinë edhe me qetësimin e situatës në veri të vendit. Kemi hyrë në atë fazë që vështirë se do ta kemi përkrahjen e shteteve të veçanta të Bashkimit Evropian në liberalizimin e vizave, në qoftë se nuk stabilizohet situata në veri të vendit”, ka thënë Mustafa.